“Bashkë Fitojmë edhe në Berat” Berisha e Meta kërkojnë votën për kandidatët e koalicionit
Sali Berisha dhe Ilir Meta u bënë bashkë në Berat për të kërkuar mbështetje me votë të kandidatëve të koalicionit Bashkë Fitojmë në zgjedhjet e 14 Majit! Fajësuan kreun e qeverisë Edi Rama për rritjen e kostos së jetesës c’ka sipas tyre ka varfëruar edhe më shumë shqiptarët
Sali Berisha e sfidoi kryesocalistin Edi Rama me këtë shprehje.
"Ai e mohon se është nga Mbreshtani. Aty i thonë; gusht dhe gunë, edhe unë i them se pushteti yt është; gusht dhe vija," tha Berisha.
Berati ishte ndalesa e parë e takimeve elektorale të ish-kryeministrit këtë të dielë nga ku u shpreh i bindur për fitoren e opozitës në zgjedhjet vendore.
"Nga jugu në veri po fryn flladi i fitores. Votoni kundër pushtetit të të gjtiha pushteteve në duart e një njeriu i cili dhe engjëll po të jetë shndërrohet në djall. Pale të ishte djall, imagjinoni se si çfarë do të bëhetë siç është Rama," tha ai.
Edhe kreu i partisë së lirisë Ilir Meta i kërkoi qytetarëve të beratit votën për koalicionin "Bashkë Fitojmë".
"Ne e dimë se sa vuan Berati nga shpopullimi dhe largimi i të rinjve. Por Berati ka një shpresë për ndryshimin e tij, që është Dr. Zija Ismaili," tha Meta.
Varfëria, shpopullimi i vendit, çmimet e larta të ndërtimit të rrugëve, politikat për energjinë elektrike ishin problemet kryesore për të cilat sipas dy aleatëve politikë Edi Rama duhet të ndëshkohet me votë më 14 maj.


