Himarë/ Po tranportonin 8 emigrantë të paligjshëm me mjete luksoze, në pranga shkodrani, tjetri ikën me vrap

Një person është arrestuar ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim pasi u kapën duke transportuar me mjetet e tyre 8 emigrantë të paligjshëm kundrejt parave në Himarë.

Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Border 6”u arrestua në flagrancë shtetasi N. K., 27 vjeç, banues në Shkodër, si dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi A. B., 32 vjeç, banues në Shkodër.

"Gjatë operacionit, në fshatin Lukovë, Himarë, shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative se me dy automjete “Range Rover” po transportoheshin emigrantë, janë vënë në ndjekje të tyre. Sapo kanë konstatuar se po ndiqeshin nga Policia, drejtuesit e automjeteve, shtetasit N. K. dhe A. B. janë larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar.

Shtetasi N. K. ka tentuar t’i shmanget përgjegjësisë ligjore, duke zbritur nga automjeti emigrantët që po transportonte, por është kapur dhe prangosur nga shërbimet e Policisë. Shtetasi A. B. ka braktisur automjetin me të cilin po transportonte pjesën tjetër të emigrantëve dhe duke përfituar nga terreni i vështirë është larguar me shpejtësi në këmbë. Vijon puna për kapjen e tij," njoftoi policia.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në të.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.