Kodheli: Hapësira të rinjve dhe zhvillim turizmit në Fier

Ai prezantoi para tyre projektet për 4 vitet e ardhshme duke u ndalur te dy prioritete kryesore, zhvillimin e bujqësisë dhe sektorit të turizmit, si sinergji për zhvillim.

Në takim, kandidati i opozitës theksoi rëndësinë e promovimit të prodhimeve vendase me ndihmën e bashkisë dhe promovimin e resurseve turistike duke u krijuar veçanërisht hapësira të rinjve.

“Problematika është aksesi i tokave bujqësore por duke qenë se ndodhemi në një zonë arkeologjike, kemi vënë re se në të gjithë botën është i zhvilluar turizmi. Jemi të vetëdijshëm se jetojmë jashtë vëmendjes së pushtetit lokal. Ne kemi menduar përfshirje të rinisë”, tha Kodheli.

“Pjesë e projektit “100 fshatrat”, Pojani i ndodhur pranë parkut arkeologjik të Apolonisë, është shumë larg pritshmërive të komunitetit lokal”, tha Kodheli ku theksoi se me ndihmën e bashkisë do të krijohen hapësira zhvillimore.

Ai tha se, “në programin tonë synojmë që të gjitha hapësirat rurale të fshatit Pojan t’i shndërrojmë në qendra të rëndësishme ekonomike nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm, me qëllim jo vetëm përmirësimin e cilësisë së jetesës së komunitetit, por edhe rritjes të numrit të turistëve”.