27 vjeçari në koma prej 3 javësh, nëna dhe motra padisin spitalin për neglizhencë: Nuk vuante nga asnjë sëmundje

Ndalimi për vjedhje i një 27 vjeçari në Tiranë, ka sjellë një tjetër akuzë për shërbim të munguar shëndetësor në polici. Pas shoqërimit në drejtorinë vendore të kryeqytetit, ai ka shfaqur shqetësime shëndetësore ku në ditën e parë ka marrë ndihmën nga grupi i emergjencës.

Por simptomat thuhet se i janë shfaqur edhe më pas e më tej është dërguar për trajtim në spital, siç mësohet në gjendje të rëndë. Pas marrjes në dijeni për rastin nëna e tij si dhe qendra për ndihmën ligjore kanë bërë padi për neglizhencë.

"I thanë mamit shko në spital e ke djalin pak me ftohje, jo që djali ka 3 javë në spital në gjendje kome. Nuk i kanë treguar. Erdhën këtu e thanë sështë. Shkuam atje e na thanë që ka tre javë në koma, ne u çmendëm," tha motra e tij.

"Të gjendet e drejta të zbardhet kjo gjendja. Nga i ka ardhur kjo djalit tim. Ai ka qënë shëndoshë e mirë, nuk vuante nga asnjë sëmundje," tha nëna e tij.

Në fakt ngjarja ka nisur në datën 13 prill kur i riu u kap me akuzën për vjedhje. Një ditë pas kësaj atij iu dha për herë të parë ndihma shëndetësore.

Më tej në datën 15 prill ndaj tij është marë masa e arrestit me burg në gjykatë dhe është dërguar për të qëndruar në qelitë e burgut 313 por për shkak të mbingarkesës është rikthyer në drejtorinë e policisë së Tiranës.

Por në datën 17 sërish ai ka pasur probleme shëndetësore ndërsa ekipi i emergjencës pas vizitëse ka  dërguar në spitalin Nënë Tereza, ku pas trajtimit është përmirësuar.

Dy javë më pas në komisariatin 3 në Tiranë nëna e tij ka bërë kallëzim duke ngritur pretendime për mënyrën e trajtimit që i ishtë bërë djalit.

Kjo ka vënë në lëvizje agjencinë e mbikqyrjes policore e cila ka sekuestruar praktikën e ndjekur në dhënien e mjekimeve si dhe ka marrë në pyetje efektivët dhe stafin mjekësor.

Të dhënat e mbledhura i kanë kaluar tashmë prokurorisë që do të vendosë nëse kemi pasur të bëjmë me shkelje dhe nëse do të ketë procedim.