Alibeaj nga Vau i Dejës: Vendi ka nevojë për modele të reja si ne

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj prezantoi sot kandidaten për kryetare bashkie në Vaun e Dejës, Klomentina Drini.

Alibeaj tha se “në 14 maj është një sfidë e madhe jo thjesht dhe vetëm për Klomentinën, por është një sfidë për secilin nga qytetarët e Bushatit”.

“Shqipëria ka rënë në kolaps. Edi Rama dhe qeveria e tij së bashku me bashkiakët e tij ka sjellë papunësi, varfëri, rrënim, ka sjellë kriminalitet, para të pista, oligarkë dhe betonizim. Kanë marrë në dorë pushtetin dhe kanë shkelur me këmbë fatin e qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

Sipas Alibeaj, “Shqipëria ka nevojë të marrë frymë, të ngrihet dhe të niset drejt të ardhmes”.

“Ndaj kësaj të ardhmeje ka vetëm një rrugë. Rruga që te djathtët kanë zgjedhur dhe do ta çojnë përpara. Trekëndëshi i mbrapsht Rama, Berisha, Meta janë ata që vijojnë sulmin ndaj shqiptarëve, ndaj shumicës së shqiptarëve.

Është ky trekëndësh, i cili kërkon ta shpopullojë Shqipërinë. Janë ata që janë ulur këmbëkryq këtu për të marrë peng fatet e shqiptarëve”, theksoi Alibeaj.

Sipas tij, kjo është arsyeja se përse njerëzit ikin dhe pse shqiptarët sot janë më të pezmatuar se kurrë.

“Ka nevojë për modele të reja, të cilat janë shembull për rininë. S’mund të rrimë ne peng të së shkuarës.

S’mund të rrimë ne peng i të shkuarës 33-vjeçare. Këto zgjedhje që nuk janë thjesht politike, por janë zgjedhje për njerëzit”, tha Alibeaj.