Rusia qëllon aksidentalisht në Belgorod afër kufirit me Ukrainën
Një avion luftarak rus qëlloi dje në mbremje aksidentalisht në qytetin rus të Belgorodit, tha Moska.
Një shpërthim i madh tronditi qytetin, afër kufirit me Ukrainën, dhe la një krater të madh në qendër të qytetit, tha në Telegram guvernatori i rajonit te Belgorodit, Vyacheslav Gladkov.
Dy gra u plagosën. Nga shpërthimi janë thyer xhamat e ndërtesave aty pranë, dhe janë dëmtuar makinat dhe shtyllat e energjisë elektrike.
Ministria e Mbrojtjes tha në një deklaratë se një avion luftarak Su-34 po fluturonte mbi qytet kur ndodhi lëshimi i paplanifikuar i municioneve.
Belgorod ndodhet afër Ukrainës, të cilën Rusia e pushtoi në shkurt të vitit të kaluar.
Sulmet kundër territorit ukrainas janë nisur shpesh nga qyteti.
Në të njëjtën kohë, vetë rajoni është bërë gjithnjë e më shumë objektiv i bombardimeve muajt e fundit.

