Danimarkë, zbulohen thesare të rralla vikinge

Thesare të rralla, duke përfshirë më shumë se 300 monedha argjendi, janë zbuluar pranë një kështjelle vikingësh në veriperëndim të Danimarkës, njoftoi sot menaxhmenti i muzeut që do t'i presë ato.

Një grua e re zbuloi thesaret vjeshtën e kaluar ndërsa po kërkonte me një detektor metali në një zonë pranë një fushe misri.

Monedhat e argjendit u zbuluan 8 kilometra larg kalasë së Firkatit,  afër qytetit të Hobro,  e cila daton në vitin 980 pas Krishtit.

“Thesare si ky janë shumë të rralla”, tha për AFP drejtori i muzeut të Jutlandit të Veriut, Lars Christian Norbach.

U gjetën edhe monedha me origjinë arabe dhe gjermane, si dhe një copë bizhuteri me peshë 500 gram  nga Skocia ose Irlanda.

Muzeu Historik i Aalborg do të shfaqë thesaret nga 1 korriku.