Turbulencat në industrinë bankare mund të përbëjnë kërcënimin më të madh për ekonominë globale

Turbulencat në industrinë bankare mund të përbëjnë kërcënimin më të madh aktual për ekonominë globale mes frikës se banka të tjera mund të jenë të cenueshme ndaj tendosjeve që rrjedhin nga normat e larta të interesit, veçanërisht në Evropë.

Muaji i kaluar dëshmoi falimentimin e bankave ‘Silicon Valley Bank’ (SVB) dhe ‘Signature Bank’ në SHBA, ndërsa njoftimi i Bankës Kombëtare Saudite, aksionerit më të madh të bankës ‘Credit Suisse’ me bazë në Zvicër, se do nuk do të rrit aksionet e saj, shkaktoi pasiguri në tregje.

Banka më e madhe në Zvicër ‘UBS’ me ndihmën e qeverisë bleu rivalin e saj me probleme ‘Credit Suisse’ për 3 miliardë franga zvicerane (3,2 miliardë dollarë).

Turbullirat në industrinë bankare erdhën në një kohë kur bankat qendrore, veçanërisht në vendet me ekonomi të përparuara, kanë rritur normat e interesit për të ulur inflacionin e vazhdueshëm, ndërkohë që vendet në mbarë botën po përballen me një krizë të kostos së jetesës.

Drejtori i Qendrës së Rrezikut Sistematik në Departamentin e Financave të Shkollës Ekonomike të Londrës, Jon Danielsson, në një intervistë për Anadolu thekson se rritja e normave të interesit për të luftuar inflacionin e lartë krijon probleme për bankat që kanë obligacione, sepse kjo shkakton që disa obligacione dhe kredi të humbasin vlerën.

Në fillim të muajit mars, banka amerikane ‘SVB’ njoftoi se shiti portofolin e saj të obligacioneve prej 21 miliardë dollarësh me një humbje prej 1,8 miliard dollarësh. Pasi banka u mbyll shpejt nga rregullatorët amerikanë, ‘First Citizens Bank’ ra dakord të blejë depozitat dhe kreditë e ‘SVB’-së, afërssisht 72 miliardë të aseteve të saj, me një zbritje prej 16,5 miliardë dollarësh.

“Kur bankat qendrore rrisin normat e interesit, synimi është të ngadalësojnë rritjen. Fakti që çmimet e obligacioneve kanë rënë është pjesë e pasojës normale kur rrit shumë normat e interesit. Ky është një kanal, transmetimi i normave të politikës mbi aktivitetin real”, thotë Michael Saunders për Anadolu, një këshilltar i lartë ekonomik në kompaninë ‘Oxford Economics’ dhe ish-anëtar i Komitetit të Politikës Monetare në Bankën e Anglisë.

Sipas tij, bankat në SHBA po shtrëngonin standardet e marrjes së kredisë edhe para tendosjeve të fundit në sistemin bankar, duke reflektuar norma më të larta interesi dhe pritje për një rritje më të ngadaltë ekonomike. Dhe, shton ai, ato që panë dështime u menaxhuan keq.

- Ka banka të tjera evropiane të keqadministruara dhe të brishta

“Së fundmi, ne pamë dështimin e dy bankave të mëdha (në SHBA). Ka shumë frikë se banka të tjera në Evropë dhe gjetiu mund të dështojnë në të ardhmen. Aktualisht, është shumë më e vështirë të kundërveprosh ndaj çdo kërcënimi financiar të biznesit nga sistemi financiar sesa që ishte në krizën 15 vite më parë dhe mendoj se ky është kërcënimi më i madh për ekonominë botërore”, thotë Danielsson.

Duke kujtuar rënien e ‘Credit Suisse’, Danielson thekson se kohëve të fundit ka pasur edhe disa banka të tjera evropiane që kanë tendosje serioze.

“Rritja e normave për të përballuar inflacionin është problemi më i madh për të cilin të gjithë shqetësohen. Ne nuk e dimë nëse një bankë tjetër diku është e cenueshme ndaj kësaj. ‘Credit Sausse’ ishte një bankë që tashmë ishte shumë e dobët dhe e keqadministruar me shumë probleme. Pastaj erdhi një tronditje e vogël dhe kjo ishte e mjaftueshme për të shkaktuar dështimin e ‘Credit Suisse’-s”, shprehet Danielsson, duke shtuar se ka banka të tjera evropiane që janë të keqadministruara dhe shumë të brishta, përfshirë ‘Deutsche Bank’.

Pra, shton Danielsson, çdo problem i ri i mundshëm mund të shkaktojë një tjetër dështim të madh bankar dhe kjo, sipas tij, momentalisht është kërcënimi më i madh për ekonominë botërore.

“Unë nuk mendoj se qeveritë dhe bankat qendrore kanë kapacitet për t’u marrë me ndonjë problem të mundshëm, pasi nuk kanë aftësinë fiskale dhe para për të shpenzuar. Bankat qendrore tani shqetësohen aq shumë për inflacionin sa që nuk të bëjnë lehtësim të matshëm dhe të shtypin para për të ndihmuar sistemin. Si pasojë, këto dyja bashkohen dhe e bëjnë të vështirë reagimin për qeveritë. Pra, është pothuajse një problem i pamundur për t'u zgjidhur”, thekson ai.

- Nuk ka asnjë histori të vetme për ekonominë globale, problemet ndryshojnë nëpër rajone

Dje, drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva, tha se turbulencat në sektorin bankar global treguan se akoma ka rreziqe që bankat qendrore ta tejkalojnë këtë situatë, por ajo u bëri thirrje politikëbërësve të vazhdojnë të përdorin norma të larta interesi për të luftuar inflacionin.

Ndërkaq, Saunders thotë se efektet e krizës së fundit në zhvillimin ekonomik mund të jenë modeste, megjithatë thekson se zhvillimi në ekonomitë e përparuara këtë vit me gjasë do të jetë mjaft i ngadaltë pasi politika shtrënguese monetare do të ketë një ndikim në drejtim të frenimit të kërkesës.

Ai thekson se problemet në raport me ekonomitë ndryshojnë nëpër rajone.

“Kriza e energjisë është me të vërtetë një histori evropiane. Ky problem është shumë më i rrallë në SHBA apo Azi. Në SHBA problemi është me disa nga bankat më të vogla, por akoma nuk është si kriza financiare e vitit 2009”, shprehet Saunders.

Sa i përket Mbretërisë së Bashkuar, thotë ai, atje çmimet e larta të energjisë patën ndikim në ekonomi, por nga ana tjetër çmimet e gazit me shumicë kanë rënë kaq shumë dhe kjo është arsyeja kryesore pse perspektiva ekonomike nuk është aq e keqe sa ishte më parë.

“Por, megjithatë, kushtet do të jenë shumë të vështira për ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar”, shton Saunders.

Prandaj, shpjegon ai, aktualisht nuk ka asnjë histori të vetme për ekonominë globale.

FMN-ja pret që rritja ekonomike globale të mbetet rreth 3 për qind gjatë pesë viteve të ardhshme, një parashikim më i ulët i rritjes afatmesme që nga viti 1990./AA