Rrëfimi drithërues në Hagë/Jakup Krasniqi në gjykatë me simbolet shqiptare, tregon masakrat serbe

"Ne udhëhiqeshim nga ‘porosia e Skënderbeut’ që na thoshte ‘të kërkosh luftë është çmenduri por t’i përgjigjesh asaj është urti".

Me këtë shprehje të Heroit Kombëtar, me qëndrim e veshje fisnike, të zbukuruar me një kollare me simbolet e flamurit kuq e zi, Jakup krasniqi kundërshtoi çdo akuzë në hagë për krime lufte.

Me një fjalim prekës madje ai kërkoi nderim.

"Aktakuza më ka lënduar më shumë nga sa vetë torturat. Dua të vdes me dinjitet".

Luftëtar, shprehet ai, u bë për të mbrojtur shqiptarët nga genocide serb.

Por për të rrëzuar pretendimet për vrasje nga UÇK ai solli në vëmendje një prej rasteve kur Millosheviç urdhëronte krime, që më pas ia faturonte UÇK-së.

"Vetë Millosheviçi ka urdhëruar vrasje jo vetëm të fëmijëve shqiptarë por edhe ata serb, duke akuzuar UÇK-në. Pas vrasjes së civilëve qëndron regjimi i Beogradit".

Në qëndrimin e tij Krasniqi solli dhe një përshkrim të dhunës së Serbisë mbi shqiptarët që pas Luftës së Dytë Botërore.

"Prapa propagandës së Jugosllavisë për parajsën e barazisë ishte një masakër, një shekull dhunë".

Madje në fëmijëri tregon edhe momentin kur babai i tij vinte në shtëpi i dhunuar rëndë nga serbët.

"Kur isha 5-6 vjeç në vitin 1957 regjimi komunist jugosllav filloi një valë të re dhune. Babai im ishte viktimë e kësaj dhune. Më kujtohet kur erdhi i rrahur dhe në një qoshe nëna ime mundohej t’ia lehtësonte këto dhimbje. Edhe sot e kësaj ditë më kanë mbetur në mendje përpëlitjet e tij prej dhunës".

Në Rezistencë u shpreh se u bë pjesë në vitin 1973 kur gjithçka ishte e fshehtë. Por më tej u arrestua dhe torturua.

"Më 1981 për arsye të pakënaqësive të mëdha rinia e Kosovës organizoi demonstrata për të kërkuar të drejta të barabarta me kombet e tjera në Jugosllavi. Këto demonstrata u shtypen me dhunë nga forcat e atij vendit. 11 të rinj u vranë, 285 u plagosën dhe me qindra e mijëra përfunduan të burgosur.

Dhunë e tmerrshme është ushtruar edhe ndaj meje. Kam përmjetuar tmerre që nuk përshkruhen me fjalë. Duart dhe këmbët i kisha gjithmonë të ënjtura nga rrahjet. Më dënuan 2 herë. I përmenda torturat për të nënvizuar një fakt se asnjë hetues, prokuror apo gjyqtar i ish Jugosllavisë që ishin përgjegjës në atë kohë nuk kanë qenë asnjëherë objekt i shkrimeve të mia, i kam lënë në ndërgjegjen e tyre."

Më tej Krasniqi rendit disa prej krimeve ndaj shqiptarëve, por me nderim për ta shprehet se ishte çmimi i lirisë.

"Në funksion të qëllimit për të shkatërruar shqiptarët forcat serbe vranë 1392 fëmijë ku kishte dhe foshnja në djep, 1739 gra dhe mbi 10 mijë civilë të tjerë. Në ato momente thashë ‘liri a vdekje’ por kurrë më nën këtë gjenocid".

E në këto kushte a mund të qëndronte në heshtje, apo të përfshihej në UÇK?

"Në ato momente e kuptova se nuk mund të jetoja më duke futur kokën në zall si struci. Ishin momente vendimtare".

Absurde i quajti dhe akuzat se persekutoi anëtarët e LDK, pasi vetë ka qenë pjesë e saj por dhe familjarët e tij.

"Unë vetë isha anëtar i saj. Familjarët e mi ishin anëtarë të saj. Vetëm një mendje e çoroditur mund t’i ketë lindur ideja se unë mund të persekutoja veten, familjarët apo bashkëluftëtarët".

Duke apeluar gjykatën të mbështetet në fakte e jo në mashtrime, ai u shpreh se roli i tij ka qenë ai i propagandës që shqiptarët të kishin besim se liria do të vinte.