Kryemadhi: Incineratorët nuk mjafton që vjedhin 100 mijë euro në ditë, por edhe tallen, SPAK nuk i sheh

Monika Kryemadhi i është kthyer sërish çështjes së incineratorit të Tiranës ku ka publikuar një video tjetër me dron ku duken kamionët dhe makineritë që groposin plehrat.

Ajo shkruan se pronarët e incineratorëve po tallen kur thonë se Kryemadhi po u prish imazhin me publikimit e saj, kur ata vjedhin 100 mijë euro në ditë.

Kryemadhi: “Hapu dhe', hapu dhe' të futem”. Kështu bërtiste “Tana” tek filmi “Përrallë nga e Kaluara”. E pra çudia ndodhi! Inceneratoristët e Sharrës kanë reaguar, e madje edhe kanë akuzuar për “prishje imazhi” e më tej akoma e kanë akuzuar Monika Kryemadhin dhe Partinë e Lirisë për benefite politike. Madje madje, kanë “guxuar” deri aty sa të ftojnë edhe mediat për të parë “kryeveprën e tyre”. E pra të nderuar miq, ky është kulmi i talljes me paratë dhe taksat e qytetarëve shqiptarë.

Nuk mjafton fakti që vjedhin 100mijë €/ditë, nuk mjafton fakti që SPAK dhe BKH merret me katundarë e punëtorë, që nga Shkodra e gjerë në Vlorë, madje merret edhe me vibratorë… vetëm me Inceneratorin e Tiranës nuk merret, por tani reagojnë të indinjuar dhe inceneratoristët. Mesa duket u kemi prishur “rehatinë e vjedhjes”.

E pra të nderuar qytetarë, sot më shumë se kurrë zë vend shprehja: "Hapu dhe', hapu dhe'", por para se të futemi “ne”, uroj të futen plehrat pasi të diferencohen dhe të kalojnë proceset e tjera për të cilat paguajmë përditë të gjithë ne. Inkurajojmë mediat të shkojnë e të shohin realisht sesi vidhen 100 mijë €/ditë nga inceneratoristët fantazëm në Tiranë.