Dorëzon mandatin, Këlliçi kritika edhe PD-së: Nuk i kemi mbrojtur qytetarët, largohem i pezmatuar
Belind Këlliçi ka dorëzuar mandatin e deputetit për t’iu përkushtuar garës për Bashkinë e Tiranës. Në fjalën e tij të fundit nga Foltorja ai premtoi se nuk do të ndjekë kurrë modelin Rama, si edhe kritikoi edhe të vetët për sherrnajat që dëmtuan opozitën.
Kandidati i Opozitës për Bashkinë e Tiranës gjatë mesazhit të fortë që mbajti sot në Kuvend, në seancën e tij të fundit pasi dorëzoi mandatin, shprehu rezerva dhe kritika edhe ndaj vetë PD-së.
Gjatë reflektimit që mbajti për atë që ai e quajti kthim të kurrizit që politika e Parlamenti i kanë bërë qytetarit, Këlliçi nuk kurseu as të vetët.
Këlliçi: Me shumë kolegë të PD-së, jemi munduar të qëndrojmë fort në mbrojtje të interesit publik, të ngremë kauza, të luftojmë korrupsionin, si me denoncimet që kemi bërë, apo me raste konkrete si ai i komisionit hetimor për aferën e inceneratorëve. Por, nuk mund të them se ja kemi dalë sa duhet. Nuk kemi shkëlqyer as ne, pasi edhe në mesin tonë, në një moment nxori krye një përplasje e brendshme, që na mori shumë kohë e shumë energji. Dhe, edhe pse kemi qëndruar mbi disa parime e vlera, nuk mund të them se i kemi shërbyer qytetarëve me sherrnajën tonë dhe as e kemi mbrojtur dot më së miri interesin e tyre.
Në fjalimin që mbajti në Parlament, në seancën e dorëzimit të mandatit, Belind Këlliçi foli për modelin që ka ofruar ajo sallë, dhe politika e në veçanti rilindja dhe tha se e refuzon këtë model.
Këlliçi: Nuk mund ta fsheh, që largohem i pezmatuar, kur mendoj se si kryeministri i vendit tim ka lëshuar këtu fyerjet dhe etiketimet më të rënda ndaj opozitës dhe ku asnjë ditë nuk ushtroi atë që njihet si themeli i vlerave europiane, që është mbajtja e përgjegjësisë. Kurrë nuk mbajti ai përgjegjësi për punët që kanë shkuar gjithnjë e më keq në vend, për braktisjen masive e shpopullimin e vendit nga të rinjtë, për rastet flagrante të korrupsionit e abuzimit të detyrës nga njerëzit më të afërt e më të pushtetshëm në këto 10 vite qeverisje, për thellimin e keqqeverisjes, për cënimin e votës, për varfërimin e skajshëm të qytetarëve tanë, për ngushtimin e hapësirave të lirisë, për kapjen e drejtësisë dhe të medias.
Kurrë nuk mbajti asgjë gram përgjegjësi kryeministri ynë. Dhe kurrë, nuk tha një herë të vetme, se po ky është faji im. Por vetëm sulmoi e përdori edhe instrumente ekstraligjorë, kundër kundërshtarit të tij politik, në përpjekjet më primitive, parapolitike, për asgjësimin e Opozitës. Unë kam ende shumë për të mësuar, se për fat jam ende i ri. Por një gjë e di mirë. Modeli politik që keni ofruar ju, kjo sallë, ky kryeministër dhe kjo qeveri, nuk do të jetë kurrë modeli që unë do të ndjek. Por do te jetë modeli që do ta luftoj me sa fuqi do të kem.
Belind Këlliçi do të garojë në zgjedhjet e 14 majit, nën logon e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, si fitues i primareve të organizuara nga Sali Berisha në Partinë Demokratike.
