Raporti i DASH dhe afera e incineratorëve trazojnë Kuvendin
Mocion me debat për raportin e DASH ishte kërkesa e opozitës në nisje të seancës parlamentare.
Duke cituar gjetjet mbi nivelin e korrupsionit, kapjen e mediave dhe gjyqësorit, deputetët e cilësuan kërkesën emergjente.
Për propozimin kryetarja e Kuvendit kërkoi mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, teksa mazhoranca paralajmëroi se debati do të zhvillohet dhe për deputetët e shpallur non grata.
"Kuvendi duhet të ishte mbledhur për të diskutuar për vendimin e DASH përmes Blinken për shpalljen non grata të një prej anëtarëve të Kuvendit."
Edhe pse në Kuvend qëndroi për pak minuta, Sali Berisha solli në vëmendje nisjen zyrtare të hetimit ndaj Arben Ahmetajt për tre akuza. Sipas tij, ish-zëvendëskryeministri nuk është koka e aferës së incineratorëve.
"Arben Ahmetaj ka firmën në transferimin e fondit të emergjencës në djegësin e Elbasanit dhe djegësin e Fierit. Arben Ahmetaj ka miratuar me siglim dhe firmë të gjitha procedurat antiligjore të ndjekura në këtë proces. Arben Ahmetaj ka qenë i lidhur si mishi me thoin, me Mërtirin dhe Zoton; njeri prej tyre ka punuar edhe në Hermes, kompaninë e tij, kur vidhte impulset në Albetelekom, por dua të them këtu se kryeautori i djegësve është një dhe vetëm një dhe ai e ka emrin Edi Rama."
Për këtë ai i sugjeroi të kthehet në dëshmimtar të drejtësisë.
"Ke vetëm një rrugë: Të pendohesh dhe të zbërthesh para kombit tënd, para popullit tënd, të gjithë veprimtarinë e organizatës kriminale."
Fjalën në foltoren e Kuvendit, Berisha e vijoi për mediat jashtë sallës, ku akuzoi mazhorancën për nivelin e korrupsionit, por edhe Alibeajn, duke e cilësuar edhe një herë si të përdorur prej Ramës.
