Rama takon kryetarin e Kuvendit të Britanisë: Shprehu keqardhje për retorikën ndaj shqiptarëve
Kryeministri Edi Rama, në vijim të vizitës së tij në Londër, u prit sot në një takim nga kryetari i Kuvendit të Mbretërisë së Bashkuar, Lindsay Hoyle.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama u shpreh se “Hoyle, shprehu keqardhje për retorikën shqetësuese ndaj shqiptarëve dhe duke nënvizuar domosdoshmërinë e luftës së përbashkët kundër rrjeteve kriminale, theksoi vlerat e pamohueshme të komunitetit shqiptar në Britani, si edhe ngriti lart rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”.
Gjatë këtij takimi, Rama shoqërohej nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
Rama ka nisur sot një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe, me një takim të organizuar në prestigjiozen “London School of Economics”.
Sipas axhendës së publikuar në medie, kryeministri Rama pritet të takohet pasditen e sotme me homologun e tij britanik, Rishi Sunak.
Po ashtu, në kuadër të kësaj vizite Rama do të takohet me komunitetin shqiptar në Londër dhe me përfaqësues të biznesit.
