Parandalohen dy vrasje brenda familjes në Tiranë
Policia e Tiranës ka arritur të parandalojë një vrasje të dytë brenda familjes duke arrestuar kërcënuesin: një 31-vjeçar që i dënuar më parë për vjedhje.
Ngjarja ndodhi në zonën që mbulon komisariati nr.3 i kryeqytetit. Policia mori njoftim se një person që mbante armë në banesë, po iu kanosej familjarëve dhe u organizua për të parandaluar ngjarjen e mundshme kriminale.

Falë ndërhyrjes në kohë, policia arrestoi I. M., 31 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje.
Ai kishte ushtruar dhunë fizike në mënyrë të përsëritur ndaj vëllait të vet si edhe dajës duke i kërcënuar edhe me armë për motive të dobëta. Gjatë kontrollit në shtëpi, I. M. iu gjetën të fshehura, një pistoletë, një automatik, 2 krehra dhe municion luftarak.

Më herët, komisariati nr 6 në Kombinat kishte arrestuar një person 41 vjeç që kërcënonte me armë zjarri, familjarët e tij në lagjen "Misto Mame".
"Falë ndërhyrjes në kohë dhe veprimeve profesionale nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, parandalohet një ngjarje kriminale në familje. Vihet në pranga 41-vjeçari që kanosi me armë zjarri, familjarët e tij.
Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit për një shtetas që kishte kanosur me armë zjarri, familjarët e tij, në lagjen "Misto Mame", menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Afternoon". Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: - J. Xh., 41 vjeç, banues në Kombinat.
Shtetasi J. Xh., mbrëmjen e djeshme, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur familjarët e tij, me armë zjarri (kallashnikov), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Vijon puna nga grupi hetimor, për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale", njoftoi policia e kryeqytetit.



