Kryesuesja e listës së PL-së, Caka: Tirana nuk u takon korrupsionit, mafias dhe krimit të organizuar
Sekretarja për Marrëdhënirt me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka, e cila drejton listën e PL-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës falënderoi anbëtarësinë për besimin e treguar ndaj saj.
“Si bartëse e listës së Tiranës për Këshillin Bashkiak nga Partia e Lirisë ndërmarr një angazhim, por në emër edhe të gjithë anëtarëve ose kandidatëve të tjerë të kësaj liste, ndërmarrim një angazhim për tja kthyer Tiranën pikërisht atyre që u takon.
Tirana u takon qytetarëve të Tiranës. Tirana nuk u takon uzurpatorëve. Tirana nuk u takon hajdutëve. Tirana nuk u takon korrupsionit, mafias dhe krimit të organizuar. Kështu që për këto arsye, japim garancinë e plotë se çdo anëtar i Këshillit Bashkiak nga Partia e Lirisë, çdo kandidat, të 62 kandidatët e kësaj liste, do të jenë zëri dhe njëkohësisht do të jenë dera e hapur për çdo qytetar që dëshiron ta ngrejë vetë zërin në Parlamentin e Tiranës.
Në kushtet kur çdo gjë është e kapur nga një qeverisje e korruptuar, atëherë ti kthejmë këto parlamente nga parlamente moniste në parlamente të vërteta vendore, në zërat e vërtetë të qytetarëve të Tiranës. I ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që më 14 Maj të vlerësojnë një listë e cila përbëhet nga të rinj, nga gra dhe profesionistë të jashtëzakonshëm të Partisë së Lirisë.
I ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që tia rikthejnë kryeqytetin, pikërisht vetë atyre. Ta rikthejnë tek vetja këtë qytet. Faleminderit dhe u uroj suksese të gjithë kandidatëe të Partisë së Lirisë”, u shpreh Silva Caka.



