Xhixho: Parlamenti i qytetit do të jetë i hapur për zërin e qytetarëve të Tiranës. Në krye të listës kemi një grua
Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho teksa prezantoi listën e PL-së për anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës në zgjedhjet vendore të 14 majit deklaroi lista kryesohet nga një grua, si Silva Caka.
Xhixho u shpreh se Parlamenti i qytetit do të jetë i hapur për zërin e qytetarëve të Tiranës.
“Të nderuar qytetarë. Kam privilegjin dhe nderin që në emër të Kryesisë së Partisë së Lirisë të paraqesë përpara jush listën e kandidatëve tanë për Këshillin Bashkiak të Tiranës, një listë fituese që do t’I paraprijë fitores sonë në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Listën tonë e kryeson një grua, një zonjë, një juriste, ish-deputete e Kuvendit të Shqipërisë, mikeshja jonë Silva Caka, që pasohet nga Endrit Braimllari ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Floida Kërpaçi ish-deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetare e LRI-së, Tedi Blushi gazetar dhe qytetar i angazhuar, Ana Azaizaj Sekretare e Përgjithshme e LRI-së.
Kjo është lista e cila do të bëhet publike dhe do të prezantohen të gjithë kandidatët tanë javën që vjen, ndërkohë që është plotësuar gjithë dokumentacioni i nevojshëm dhe i domosdoshëm ligjor për të gjithë kandidatët tanë, për të qenë ligjërisht edhe pjesë e procesit të zgjedhjeve të 14 Majit. Kjo listë përfaqëson vlerat më të mira të grave, të vajzave, të intelektualëve të të gjitha fushave, të të rinjve duke qenë nesër zëri i çdo qytetari të Tiranës në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Parlamenti i qytetit pas zgjedhjeve të 14 Majit do të jetë më në fund në duart e qytetarëve të Tiranës, pasi koha e llogaridhënies po vjen, Çdo taksë që qytetarët e Tiranës paguajnë do të jetë në transparencë dhe në sytë e publikut. Parlamenti i qytetit do të jetë i hapur për zërin e qytetarëve të Tiranës”, u shpreh Erisa Xhixho.

