Partia Republikane me këshilltarë të saj në zgjedhje, Mediu: Do mbështesim kandidatët për kryetar bashkie të opozitës
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është shprehur se forca që ai drejton do të dalë me listën e vet për këshilltar bashkie në zgjedhjet e 14 majit, ndërsa do të mbështesë kandidatët për kryetar bashkie të opozitës. Në takimin me strukturat e partisë në Tiranë, Mediu bëri thirrje që opozita të dalë vetëm me një kandidat në këto zgjedhje.
Partia Republikane do të ketë listën e saj për këshillat bashkiak në zgjedhjet e 14 Majit.
Në takimin e zhvilluar me strukturat e partisë në Tiranë, kreu i PR-së Fatmir Mediu është shprehur se forca që ai drejton do të mbështesë kandidatët për kryetar bashkie të opozitës.
Mediu gjithashtu theksoi se opozita duhet të dalë vetëm me një kandidat opozitar për kryetar bashkie.
“Situata në vend është shumë e rëndë, ekononikisht dhe politikisht, nuk ka shtet, nuk ka ligj, nuk ka pushtet lokal, është vrarë besimi, kjo edhe për shkak të gabimeve që bëri opozita, duke lënë parlamentin.
E kështu i dhamë mundësinë Edi Ramës të ndryshonte Kushtetutën dhe Ligjin Zgjedhor dhe të ndalojë koalicionet.Po ashtu bojkoti i zgjedhjeve lokale ishte një veprim absurd duke i dhuruar pushtetin socialistëve.
Nisur nga këto gabime absolute duhet të reflektojmë, të lëmë mënjanë ndarjen dhe luftën, t’i përgjigjemi kërkesës dhe nevojës së shqiptarëve nga Konispoli në Vermosh për të dalë vetëm me një kandidat opozitar për kryetar baahkie dhe ta mbëahtesim të gjithë së bashku”.
Kreu i Partisë Republikane tha se këto zgjedhje janë mundësia për të hapur rrugën e ndryshimit politik për t’i rikthyer pushtetin shqiptarëve në 14 Maj.

