Tuzi mban zgjedhjet vendore, në garë shtatë parti dhe koalicione
Tuzi komuna me shumicë shqiptare mabn zgjedhjet lokale këtë të diel.Në garë janë 7 forca politike ndër të cilat 4 janë koalicione. Në koalicionin “Forumi shqiptar” të udhëhequr nga Alternativa Shqiptare bëjnë pjesë edhe Lidhja Demokratike e Shqiptarëve, Unioni Kombëtar Shqiptar dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi.
Këtë të diel në komunën me shumicë shqiptarë në Tuz të Malit të Zi, mbahen zgjedhjet vendore ku garojnë 7 forca politike ndër të cilat 4 janë koalicione. Nga ora 07:00 deri në orën 20:00, 12.387 banorë do të mund të votojnë në 30 qendra votimi.
Në koalicionin “Forumi shqiptar” të udhëhequr nga Alternativa Shqiptare e kryetarit aktual të komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, bëjnë pjesë edhe Lidhja Demokratike e Shqiptarëve, Unioni Kombëtar Shqiptar dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi.
Ndërkohë në anën tjetër gjendet koalicioni I gjerë I përbërë nga Partia Demokratike Socialiste, e presidentit aktual Milo Gjukanoviq, Socialdemokratët, Partia Boshnjake dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve .
Këto dy lista cilësohen si konkurrentet kryesorë në fitoren e zgjedhjeve vendore në Tuz.
Zgjedhjet e së dielës janë të dytat që nga ndarja e kësaj bashkësie lokale nga komuna e Podgoricës në vitin 2018.
Banorët e Tuzit pritën gati dy dekada për t'u ndarë në një komunë të pavarur, që ishte kërkesa kryesore politike e spektrit politik shqiptar në Malin e Zi. Dekada më parë, Tuzi ishte pjesë administrative e Podgoricës, e më pas një nga komunat e kryeqytetit.
Në zgjedhjet e para, pas ndarjes nga komuna e kryeqytetit, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Gjukanoviq humbi pushtetin në Tuz, ku deri atëherë kishte një bazë të fortë elektorale dhe mbante pushtetin në këtë komunë.