25 vjetori i UÇK-së e gjen Kosovën në bisedime me Serbinë
25 vjetori i Epopesë së UÇK-së e gjen Kosovën në finale e mundshme të bisedimeve me Serbinë, ku raundi i radhës pritet të mbahet në 18 mars në Shkup.
Lufta ishte për pavarësi, por sot edhe pakti i ofruar për stabilizimin e marrëdhënieve me Beogradin e shikon nga larg mëvetësinë.
Betejën e ushtrisë çlirimtare dhe të rënëve për atdheun e ka përkujtuar presidentja Vjosa Osmani.
“Gjaku i tyre i njomë u bë dritë udhërrëfyese për çdo shqiptar. Lavdi përjetësisht,” ka shkruar ajo.
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, nderimet i ka bërë në Prekaz ku kreu homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” .
“Po nderojmë këtu në Prekaz, në vendin ku ka ndodhur kthesa e vetëdijes tonë kombëtare, e vetëdijes për çlirim, ku i gjithë populli pranoi kushtrimin prej këtu për të luftuar deri në çlirim.
Në këtë vend pushojnë legjendarët tanë, komandanti ynë, Adem Jashari dhe familja Jashari, po ashtu prej këtij vendi nisemi më të fortë çdoherë për të gjitha ato sfida e punë që na presin,” tha ai.
Homazhe në Prekaz po bëjnë edhe qindra qytetarë nga gjithë vendi dhe rajoni. Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars do të organizojë manifestimin gjithë popullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.