57 viktima në Greqi, ndërpriten kërkimet në zonën e përplasjes së trenave. Ifigenia Mitska përcillet me arkivol të bardhë

Autoritetet greke ndërprenë operacionet e kërkim-shpëtimit në zonën e përplasjes së trenave ku deri të shtunën janë konfirmuar 57 viktima mes të cilëve 4 shqiptarë. Një prej tyre ishte edhe Ifigenia Mitska, e cila u përcoll në banesën e fundit të shtunën me një arkivol të bardhë. Ngjarja ka shkaktuar protesta dhe reagime të forta kundër qeverisë dhe autoriteteve në Athinë.

Ifigenia Mitska u përcoll në banesën e fundit në një arkëmort të bardhë pasi nuk arriti ta veshë fustanin e nusërisë si pasojë e tragjedisë hekurudhore në Greqi.

Shumë njerëz, kryesisht të rinj morën pjesë në cermoninë e mbajtur në Giannica.

Avokati i familjes tha se familja është e trishtuar dhe pret një falje të sinqertë për gjithçka ka ndodhur ndërsa kanë besim se drejtësia greke do të vërë para përgjegjësisë autorët.

Ifigenia ishte një prej 4 shqiptarëve mes 57 viktimave të tragjedisë hekurudhore të mëngjesit të 1 Marsit pranë Larisas.

Ministria e Jashtme njoftoi se pas komunikimit me autoritetet greke, në radhët e viktimave të aksidentit tragjik hekurodhor në Larisa konfirmohen deri tani katër shtetas shqiptarë dhe me origjinë shqiptare të cilët janë Ifigenia Mitska, Pavlin Bozo, Joanis Xhollas dhe Klaudia Lato.

E reja që u përcoll të shtunën, udhëtonte bashkë me të fejuarin në vagonin e tretë të trenit të  pasagjerëve që u përplas me trenin e mallrave.

Për ta identifikuar u kërkua analiza e AND-së, ashtu si me 53 viktima të tjera!

Operacioni i kërkim shpëtimit do të ndërpritet mbrëmjen e shtunës dhe më pas të gjithë janë të pritje të rezultateve të hetimit për shkakun e tragjedisë.

Paraprakisht dyshohet një gabim njerëzor për të cilin është arrestuar drejtori i stacionit të trenave në Larisa.

Por punonjës të sistemit hekurudhor e kanë konsideruar ngjarje të paralajmëruar për shkak të mungesës së sistemeve të sigurisë dhe reduktimeve të stafit.

Ngjarja e rëndë ka shkaktuar zemërimin dhe protesta në të gjithë vendin, sikurse ka nxitur debatin për sigurinë e transportit hekurudhor në shtetin helen.

Familjarët e viktimave janë zotuar se do të kërkojnë drejtësi ndërsa manifestimet dhe protestat masive të qytetarëve vijojnë prej ditësh në sheshin Sintagma.

Ndërkohë unioni i gazetarëve grekë në një reagim publik, kërkon ndjesë ndaj publikut për atë që ata e quajtën "misioni sublime gazetaresk i investigimit të pushtetit"