Dan Hutra pas vrasjeve dhe plagosjeve të grave në Paskuqan, Astir e Kamëz. Policia në këmbë për kapjen e tij

Tri gra u vranë dhe 3 të tjera u plagosën në tre skena të ndryshme krimi në Astir, Paskuqan dhe Kamëz këtë të mërkurë. I sapoliruari nga burgu Dan Hutra hyri në banesë dhe plagosi ish-gruan me të cilën kishte një vajzë 4 muajshe dhe ish- vjehrrën. Plumbat u morën jetën edhe dy grave të tjera të afërme të ish-gruas së autorit. Ndërkaq dyshohet se ka vrarë edhe një 31-vjeçare, me të vëllain e së cilës ishte konfliktuar në burg.

Tri gra u vranë dhe 3 të tjera u plagosën në 3 vendngjarje të ndryshme, me vetëm 1 autor të dyshuar, 40-vjeçarin Dan Hutra.

Pas kishte lënë qelinë 2 javë më parë, Hutra ka shkuar mesditën e të mërkurës në banesën e ish-të dashurës së tij, Marjana Gurakuqi, të cilën e ka plagosur me thikë dhe i ka vjedhur paratë.

Pas këtij momenti, ai dyshohet se është nisur drejt Paskuqanit, ku banonte ish-gruaja e tij Elena Hysa, me të cilën ka edhe një fëmijë 4 muajshe.

Aty ai ka hapur zjarr ndaj 4 grave. Plumbat i morën jetën dy prej tyre, Mevlute Hysës, motrës së ish-gruas si dhe Hasime Dafku, e fejuara së vëllait të ish-gruas.

Dy të tjerat Elena dhe Kujtime Hysa, nënë e bijë mbetën të plagosura. 

Nga kjo skenë krimi autori është larguar me një mjet tip "Benz" me targa AA 551 UX.

Dan Hutra pas vrasjeve dhe plagosjeve të grave në Paskuqan, Astir e
Makina me të cilën u largua nga Paskuqani

Pak minuta më pas në polici është raportuar për tjetër vrasje në Bathore. 31-vjeçarja Etleva Kurti, ishte gjetur e pajetë në oborrin e banesës.

Pas verifikimeve, policia ka ngritur dyshimet se edhe për këtë vrasje autori është Dan Hutra. Ky i fundit ka pasur një konflikt në burg me të vëllain e viktimës, Vladimir Kurti.

Teksa policia vijon hetimet për të zbardhur të gjithë kronologjinë dhe motivet e këtyre ngjarjeve të rënda, një dëshmi tregon se kemi me një person të dhunshëm.

"E rrihte vajzën, ishte shumë e urtë dhe më ka ardhur keq për të. Erdhi shtatzënë te babai i saj, i lindi një vajzë dhe e ka 4 muajsh. Ajo tregonte se e dhunonte jo vetëm atë por gjithë familjen."

Pikërisht për shkak të dhunës që ai kishte ushtruar në familje, ish-gruaja e tij e Elena Hysa e pati denoncuar në polici.

Çfarë thotë Gjykata e Apelit për dënimin

Referuar interesimit të mediave, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me zëvëndësimin e e masës së sigurimit “arrest në burg” me masën e sigurimit “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore”, ndaj personit nën hetim shtetasit me iniciale Dan Hutra,  i dyshuar për kryerjen e veprëse penale “Dhunë në familje”,  parashikuar nga neni  130/a  të Kodit Penal.

Me vendimin nr. 555/1 Akti, datë 09.0.2023 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vendosi:

Rrëzimin e kërkesës me nr. 3356/1 Akti, datë 04.01.2023 me kërkues Dan Hutra.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim Dan Hutra, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, zëvëndësimin e e masës së sigurimit nga “arrest në burg” në atë “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore”.

Në përfundim të gjykimit, me vendimin nr. 66, datë 14.02.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Irida Kacerja, vendosi:

-Lënien në fuqi të vendimit nr. 3356/1 Akti, datë 09.01.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Për vijueshmërinë e procesit të shtetasit Dan Hutra, në shkallë të tjera të gjykimit, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, nuk ka informacion.