Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, Borrell pret “qasje konstruktive” për propozimin evropian (Video)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nisën takimin e radhës në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë.

Ata, po ashtu, takuan të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Borrell tha se pret që palët të kenë “qasje konstruktive” ndaj propozimit të bllokut evropian për normalizimin e raporteve.

“Kam mirëpritur në Bruksel kryeministrin Albin Kurti, dhe presidentin Aleksandar Vuçiç, në takimin e nivelit të lartë të dialogut Prishtinë-Beograd. Në agjendë: propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Shpresoj që të dyja palët të kenë një qasje konstruktive”, shkroi ai në Twitter.

Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes Kurtit dhe Vuçiqit - të gjashtin me radhë - si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për një propozim të BE-së për normalizimin e raporteve.

Propozimi, i cili u është dorëzuar atyre qysh në fund të verës, përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara.