Berisha në Gjirokastër: Pas 32 vitesh, ne jemi sërish në monizëm të plotë që bazohet te krimi dhe droga

Pas takimit që zhvilloi me demokratët e Tepelenës, stacioni i radhës i kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha ishte Gjirokastra.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se revolucioni i vitit ‘90 përmbysi një rend shoqëror, ndër më tragjikët në historinë e njerëzimit.

“Së pari, ju falënderoj me shumë mirënjohje dhe përzemërsi për praninë tuaj sot këtu. Me këtë rast, përshëndes të gjithë demokratët e qarkut të Gjirokastrës, ju uroj gëzuar këtë ditë, e cila shënon për qytetarët e këtij qarku dhe rrethi, ditëlindjen e dytë të tyre në liri. Përshëndes të gjithë kandidatët tanë për kryetarë bashkie në këtë qark, drejtuesit e PD, deputetin, miqtë e mi, drejtues, ish-drejtues, që jemi mbledhur për të kremtuar këtë ditë të shënuar jo vetëm për Gjirokastrën, por edhe për Shqipërinë. Gjirokastra është një qytet simbol për mbarë kombin. Historikisht ka qenë një epiqendër shumë e rëndësishme e kombit. Nuk ka një qytet tjetër që të rrezatojë më shumë qytetari, traditë dhe kulturë sesa qyteti juaj. Nuk ka qytet tjetër ku bashkëjetesa mes njerëzve, me bindje dhe besime të ndryshme, me origjina të ndryshme etnike të jetë se në qytetin e Gjirokastrës.

Ndaj dhe unë duhet të përshëndes gjirokastritët kudo që janë, dua të përulem me nderim para atyre që themeluan degën e PD 32 vjet më parë. Ata ishin burra e gra guximtarë, në fakt qëndruan të pamposhtur edhe në kushte terrori. Edhe breshëri u hodhën drejt tyre, por ata nuk u mposhtën. Ata qëndruan për ato vlera, të cilat revolucioni i viteve ’90, synonte të sillte në Shqipëri. Ai revolucion përmbysi një rend shoqëror, ndër më tragjikët në historinë e njerëzimit, ndër më çnjerëzor dhe më barbarët në historinë e Shqipërisë. Një rend që në Shqipëri njohu format më të egra. Shqiptarët përjetuan një kasaphanë të luftës së klasave, përjetuan një tirani mjerimi nga hipekolektivizmi total, që i vendosi ata në një uri kronike, përjetuan një tirani izolimi të paparë në historinë e tyre. Si asnjë vend tjetër në historinë e Europës dhe botës, e shkëputur për dekada. Përjetuan tiraninë e indoktrinimit. Kjo më e fuqishme dhe më e shprehur se në ndonjë vend tjetër”, u shpreh Berisha.

Në vijim, kryedemokrati theksoi se pas 32 vitesh, ne jemi në një monizëm të plotë njëlloj si më parë. Dhe siç tha ai, ky monizëm bazohet te krimi dhe droga.

“Revolucioni i vitit 1990 solli në arenë, në skenë forcën politike që do mbronte interesin kombëtar, që do i dilte zot çështjes shqiptare. Sot, pas 32 vitesh, Shqipëria është vite drite larg nga ajo periudhë në shumë aspekte. Sot Shqipëria, falë atij revolucioni është anëtare e NATO-s, tani ka hapur negociatat, shqiptarët lëvizin lirshëm në hapësirën e Shengenit. Por prapë sot, pas 32 vitesh, ne jemi në një monizëm të plotë njëlloj si 32 vite më parë. Nëse monizmi i 32 viteve më parë bazohej në një doktrinë çnjerëzore të marksizëm-leninizmit, sot ky monizëm nuk është i bazuar më këtë doktrinë.

Ky monizëm është i bazuar në krimin, i cili në disa aspekte tejkalon çdo lloj standardi, është i bazuar në drogën, që në pamje të parë duket sikur sjell dobira, por paraja e drogës është toksike. Asnjë vend nuk është zhvilluar nga krimi dhe droga. Le të marrim Tiranën sot. Tirana është vendi me treguesin më të lartë të ndërtimeve në Europë. Normalisht, sipas të gjitha ligjeve të tregut, Tirana duhet të kishte çmimet më të arsyeshme të apartamenteve, por ajo i ka të tretat më të shtrenjtat në Europë. Sepse zoti i tregut nuk është ekonomia që krijuan qytetarët, por narko-eurot. Ky monizëm i dytë ka pasur pasoja katastrofale për vendin. 40 përqind e banorëve të Gjirokastrës janë larguar”, deklaroi kryedemokrati Sali Berisha.

Berisha tha se nëse nuk do vidheshin 122 miliardë lekë në vit, shqiptarët do të merrnin dyfishin e rrogës që marrin çdo muaj sot.

"Kosova ka një buxhet sa 50 përqind të Shqipërisë. Para 10 vitesh, Kosova ishte pothuajse në gjysmën e rrogave tona. Para 10 vitesh, ne qëndronim në krye të rrogave në rajon. Po pse? Se kishte një qëllim ajo qeveri: të investojë te shqiptarët. Ajo qeveri mendonte se duke i paguar, investonte në kapitalin njerëzor dhe ua bënte jetën më të mirë, më të pranueshme. Ajo qeveri mendonte se ka një detyrim të pakufishëm ndaj pensionistëve, të cilët u shkrinë në një sistem barbar dhe tani merrnin thërrime. Ndaj dhe i dyfishoi pensionet. Çfarë ndodhi nga ajo periudhë? U rrokullisëm të fundit në rajon për rroga dhe pensione. Jemi 30 deri në 50 përqind më ulët e Kosova. Po pse? Sepse vidhen. Fondet vidhen, fondet shpërdorohen. Çfarëdo bindje të keni, nuk duhet të harroni se ai që u vjedh, ai u urren. Se u ka vjedhur, ka kryer krim ndaj jush. Kjo është arsyeja pse Edi Rama i lejon vetes të fluturojë 137 udhëtime me çarter, të shpenzojë taksat tuaja, 22 milionë euro udhëtime. Sa asnjë kryeministër në Europë ose në botë.

Nëse ai do pyeste për qytetarët e Gjirokastrës, ai kurrë nuk mund të përdorte pushtetin për një stërluks të tillë. Ai i urren, ai i vjedh, ai i konsideron qenie inferiore ata që i vjedh. Ai mendon se nëse ishin të bindur se i vjedh, do i jepnin përgjigjen e duhur. KLSH, vitin e kaluar, konstaton se në 9 muaj, janë vjedhur 122 miliardë lekë. Sa është fondi i pagave në një vit? 97 miliardë lekë. Pra, nëse do vidheshin dhe shpërdoroheshin 25 miliardë lekë, të tjerat do tepronin që shqiptarët të merrnin dyfishin e rrogës që marrin çdo muaj sot. Kurse ky shtrohet në darka, 10 mijë euro darka. 10 mijë euro me rrogën e tij janë sa rroga e 7-8 muajve. A mundet një kryeministër t’i lejojë vetes një shpenzim të tillë? Një kryeministër që vjedh, i lejon vetes çdo gjë", deklaroi Sali Berisha.