Meta: Partia e Lirisë qëndron në solidaritet popullin ukrainas deri në rivendosjen e paqes

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka përkujtuar sot 1-vjetorin e nisjes së luftës në Ukrainë, duke postuar një foto me ambasadorin e Ukrainës në vendi tonë.

Meta shkruan se Partia e Lirisë qëndron në solidaritet dhe mbështetje të palëkundur për popullin Ukrainas deri në rivendosjen e paqes dhe garantimin e sovranitetit shtetëror.

Meta: Si sot 1 vit më parë, Ukraina u zgjua nën tmerrin e agresionit të egër rus, e që prej asaj dite, populli ukrainas është kthyer në frymëzim për mbarë botën, me rezistencën e tij heroike për liri, në mbrojtje të atdheut, lirisë dhe demokracisë brenda kufijve të sovranitetit shtetëror.

Angazhimi i hershëm ndërkombëtar nga OKB, NATO, BE, si dhe dedikimi i SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar, në këto 12 muaj ka dëshmuar qartazi se uniteti i demokracive perëndimore është efektiv për mbrojtjen e Ukrainës nga ky pushtim ilegjitim dhe Ukraina do të qëndrojë e lirë dhe sovrane. Partia e Lirisë qëndron në solidaritet dhe mbështetje të palëkundur për popullin Ukrainas deri në rivendosjen e paqes dhe garantimin e sovranitetit shtetëror.