Ukraina merr goditjen e rëndë nga SHBA: Tanket e premtuara mund të vonohen deri në 2 vite

Një zyrtare e ushtrisë amerikane ka deklaruar sot se mund të duhen deri në dy vjet që tanket M1 Abrams të dorëzohen në Ukrainë.

SHBA njoftoi në janar se do të furnizonte Ukrainën me 31 tanke të avancuara M1 Abrams me vlerë rreth 400 milionë dollarë brenda disa muajsh, por planet janë ende duke u hartuar se si do të dorëzohen mjetet luftarake.

Ushtria amerikane “po shqyrton mundësitë se cila është mënyra më e shpejtë se si mund t’i çojmë tanket tek ukrainasit”, tha ajo.

“Nuk do të jetë çështje javësh. Asnjë nga opsionet që ne po eksplorojmë nuk është punë javësh apo dy muajsh. Ka afate më të gjata kohore të përfshira. Por unë mendoj se ka opsione që janë më pak se dy vjet, më pak se një vit e gjysmë. Por përsëri duhet të shohim të mirat dhe të këqijat e secilës prej tyre”, tha ajo.

Ajo shtoi se një tjetër opsion do të përfshinte “vendet të cilave u kemi shitur tanke më parë”, të cilat “me sa duket mund t’u japin tanke ukrainasve më shpejt, por mund të prishin marrëdhëniet me aleatët e rëndësishëm”.