Putini shton raketat/ Presidenti rus mesazh në festën e Atdheut: Do shtojmë raketat bërthamore nga toka, ajri dhe deti
Dy ditë pasi njoftoi pezullimin e marrëveshjes me shba për armët berthamore, presidenti rus ka paralajmëruar se do të shtojë prodhimin e raketave dhe sistemeve të reja të sulmit. Në një video mesazh në festën e mbrojtjes së atdheut, ai tha se ushtria ruse do të shtojë raketat me koka bërthamore nga ajri, toka dhe deti.
Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia do të vazhdojë fuqizimin e saj ushtarak përfshirë edhe armët berthamore, pak ditë pasi njoftoi pezullimin nga Moska të pjesëmarrjes në marrëveshjen me SHBA.
Në një video-mesazh për festën e Mbrojtësit të Atdheut të enjten, Putin tha gjithashtu se Rusia do të vazhdojë të furnizojë forcat e saj të armatosura me pajisje të përparuara. AFP citon Putinin të ketë thënë se trupat ruse do të pajisen me "sisteme të reja sulmi, pajisje zbulimi dhe komunikimi, drone dhe artileri. Në pamjet e publikuara nga kremlini, putin dëgjohet duke thënë se “Uniteti i pathyeshëm i Rusisë është çelësi i fitores.
Ai përsëriti planin për fillimin e dërgesave masive të raketave hipersonike Zircon të lëshuara nga deti, dy ditë pasi njoftoi se Rusia do të tërhiqej nga traktati i ri START, marrëveshja e fundit e mbetur për kontrollin e armëve me Uashingtonin. Kjo marrëveshje përcaktonte kufizimin e mbushjeve bërthamore që mund të dislokonte secili vend.
Duke iu referuar raketave bërthamore të bazuara në tokë, det dhe në ajër, kreu I kremlinit tha se do t'i kushtojë vëmendje të shtuar forcimit të treshes në fjalë. Putin vuri në dukje se për herë të parë, raketat balistike ndërkontinentale Sarmat - një armë e aftë për të mbajtur disa koka bërthamore njëherësh - do të vendosen këtë vit. Presidenti rus tha se do të vazhdojë prodhimin masiv të sistemeve hipersonike Kinzhal me bazë ajrore dhe do të fillojë furnizimet masive të raketave hipersonike Zircon me bazë në det. Në mesazhin e shpërndarë me video, lideri rus këmbënguli se ushtria e tij është garantuese e stabilitetit kombëtar. Festa E mbrojtjes së atdheut kremtohet në Rusi që nga viti 1919.
