PROTESTA LIVE/ I përjashtuan 23 deputetë, Opozita “në këmbë” para Kuvendit kundër vendimit të PS-së
Opozita i ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkoen paraditen e sotme në orën 10:00 në një protestë para Kuvendit, aty ku janë përjashtuar nga seancat 23 deputetë të saj.
Nga ana e saj, edhe Policia e Shtetit ka marrë masa për protestën e paralajmëruar sot nga opozita para Parlamentit.
Rreth 700 efektivë policie në gatishmëri për protestën e opozitës para Parlamentit në orën 10:00. Gjithë perimetri i godinës së seancave plenare do të jetë i rrethuar me uniforma blu, ndërsa në të gjithë zonën janë shtuar masat e sigurisë.
Në vijën e parë do të qëndrojnë forcat e rendit dhe të njësisë “Shqiponja”, ndërsa ato të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA do të jenë të dislokuara në pjesën e anësore të parlamentit.
Ndërsa efektivë të Gardës janë dislokuar në pjesën anësore nga krahu i “Pedonales” nga pritet të bëhet edhe hyrja e deputetëve.
Policia do marrë masa edhe për bllokimin e rrugëve, ku rreth orës 09:30 do të ketë kufizime të qarkullimit në rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark” dhe kryqëzimi i rrugës së Elbasanit.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, një ditë më parë theksoi se përjashtimi i tyre është bërë me urdhër të Edi Ramës që, sipas tij, kërkon të pengojë me çdo kusht mocionin me debat dhe ngritjen e komisionit hetimor për aferën me McGonigal.
"Ndaj dhe u bëj thirrje qytetarëve të që protestojmë me fuqinë më të madhe përpara parlamentit. Ky është parlament i krimit, tha Berisha dje, - sikundër deputetët tanë do të bëjnë një përpjekje të jashtëzakonshme për arritjen e qëllimeve të tyre.
Para botës ka një parlament të vetëm që ka përjashtuar 23 deputetë vetëm që Edi Rama të mos hetohet për krimin që ka kryer, për korruptimin e zbuluesit kryesor të vendit partner dhe mik të Shqipërisë.
Dorian Duçka është i implikuar në afera të spektrit më të gjerë. Ka SPAK, ka drejtësi këtu, ka hetim? Nuk ekzistojnë. Kur deklarova në fillim që McGonigal ka takuar dhe ka drekuar me eksponentë të SPAK, bënë një seri deklaratash që nuk është e vërtetë. Çfarë është e vërtetë? Që Duçka, McGonigal dhe Neza kanë vendosur gjoba milionëshe? Nuk është e vërtetë që ka ndërhyrë në veting?" nënvizoi kreu demokrat në fjalën e tij.
Protesta e PD, e deputetëve dhe mbështetësve të saj është përkahur edhe nga Partia e Lirisë. Kjo parti deklaroi dje se "revolta popullore nuk do të ndalet! Ndaj (të enjten) ne do të jemi sërish në protestë para Kuvendit, në mbrojtje me çdo çmim të Republikës Parlamentare!”, u shpreh kryedemokrati Sali Berisha.
