Rama thirrje Japonisë: Hiqni vizat me Shqipërinë, rrisni prezencën në Rajonin tonë!

Kryeministri Edi Rama kërkoi sot nga Japonia që të mundësojë udhëtimin e shqiptarëve pa viza.

Kërkesa e kryeministrit Rama u bë gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida, në Tokio.

Rama në fjalën e tij po ashtu theksoi se, është me rëndësi vendimtare që Japonia të jetë më shumë e pranishme në rajonin tonë, ndërsa mirëpriti angazhimin e qeverisë japoneze për vendosjen e një ambasadori për Ballkanin Perëndimor.

“Është një lajm i mrekullueshëm të dëgjosh që qeveria juaj po angazhohet të vendosë një ambasador për Ballkanin Perëndimor sepse, siç unë përmenda gjithashtu gjatë bisedimeve tona, është me rëndësi vendimtare që Japonia të jetë më shumë e pranishme në rajonin tonë. I bashkohem kryeministrit të nderuar për të theksuar nevojën dhe dëshirën për të forcuar marrëdhëniet tona dypalëshe, për të forcuar bashkëpunimin tonë dypalësh dhe për të parë më shumë zhvillime mes dy vendeve tona.

Sigurisht që jemi të largët gjeografikisht, jemi të ndryshëm, Japonia është e madhe, ne jemi të vegjël; Japonia është e pasur, ne nuk jemi aq të pasur, por në një botë që është gjithnjë e më e shqetësuar nga kriza e papritur, ne besojmë fort se, pavarësisht dallimet ato që na bashkojnë janë vlerat. Dhe të jesh pjesë e kësaj familje vlerash është më e rëndësishme sot se, dje dhe mund të jetë më e rëndësishme nesër se sot. Kështu që duke shpresuar se, së shpejti qeveria japoneze do të bëjë të mundur që shqiptarët të mund të udhëtojnë pa viza në Japoni, siç mund të bëjnë edhe japonezët në Shqipëri. Ne e presim me padurim që ky bashkëpunim të forcohet”, tha Rama.

Po ashtu, kreu i Ekzekutivit shqiptar theksoi se Shqipëria dhe Japonia kanë bashkuar forcat për të mbështetur Ukrainën.

Në krah me kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida, kryeministri Rama foli edhe për bashkëpunimin për të dënuar agresionin rus në Ukrainë.

“Ne jemi bashkë në Këshillin e Sigurimit dhe siç thatë ju, ne kemi bashkuar forcat për të mbështetur Ukrainën dhe bashkërisht dënojmë agresionin rus. Është një shkelje totalisht e papranueshme e së drejtës ndërkombëtare dhe një sulm totalisht i papranueshëm ndaj integritetit territorial të një vendi tjetër. Kështu që ne do të vazhdojmë të punojmë krah për krah me miqtë dhe aleatët japoneze në Këshillin e Sigurimit dhe jemi shumë të nderuar që e bëjmë këtë. Siç e përmendi kryeministri, ne e kemi parë me shumë interes strategjinë e Mbrojtjes Kombëtare që ai ka bërë dhe i shpreha vlerësimin tim më të thellë për këtë dokument të thellë që mbulon çështjet e kësaj kohe të vështirë në një mënyrë shumë frymëzuese”, u shpreh Rama.

Në fund, kryeministri Rama ftoi homologun japonez për të vizituar Shqipërinë.