Rrustemi: Serbia po përpiqet që Asociacionin ta shndërrojë si parakusht për marrëveshje

Serbia po përpiqet që Asociacionin ta shndërrojë si parakusht për marrëveshje dhe kjo është e papranueshme për Kosovën, thotë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.  

Sipas tij qëllimi është për të pamundësuar normalizimin e marrëdhënieve.  

Duke këmbëngulur te projekti franko gjerman Kryetari i Komisionit parlamentar për Legjislacion thotë se ka një rritje të kërkesës prej evropianëve dhe amerikanëve për dialogun.

Rrustemi: Ka një intensitet të shtuar, sidomos të ndërmjetësuesve evropianë e amerikanë për intensifikimin e procesit të dialogut për marrëveshjen për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, natyrisht mbi bazën e propozimit franko-gjerman të cilin ne e kemi konsideruar bazë të mirë, bazë solide për të vazhduar diskutimet. Ne e kemi pranuar si të tillë, si bazë solide për të vazhduar diskutimin, natyrisht që paralelisht po diskohet në opinion publik është çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Konsiderojmë që Serbia po përpiqet në njërën anë Asociacionin ta paraqesë dhe ta shndërroje si një lloj parakushti për marrëveshje, gjë që është e pamundur dhe e papranueshme për Kosovën, dhe në anën tjetër si një pretekst për ta pamundësuar marrëveshjen për normalizim.

Rrustemi thotë se Kosova është e interesuar për dialog të mirëfilltë politik, ndaj kërkon që presioni i ndërkombëtarëve të drejtohet mbi Serbinë.

Rustemi: Do të thosha që presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet mbi Serbinë edhe për ta pranuar propozimin franko-gjerman si bazë për dialog por të njëjtën kohë edhe për të hequr dorë nga çfarëdo përpjekje për të shmangur le të themi dialogun, përmes kërkesave të tilla si Asociacioni që e paraqet si parakusht apo qendër të marrëveshjes për normalizim.

Ai nuk e mohon që Serbia mund të paraqesë në tavolinë çështjen e Asociacionit, por shton se Kosovës i përket t’i jap argumentet për funksionalitetin e shtetit dhe mënyrën si mund të adresohen çështjet e pakicave.