Balonat spiune kineze, Biden: Do të shkatërrojmë çdo objekt që rrezikon sigurinë e SHBA

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dha mbrëmjen e sotme një deklaratë për tre objektet fluturuese me origjinë kineze, të cilat u zbuluan në hapësirën ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që u rrëzuan.

Duke folur në orën 20:00 me orën shqiptare, Presidenti amerikan sqaroi se SHBA-ja tani kontrollon hapësirën e saj ajrore me më shumë kujdes që kur balona spiune kineze fluturoi mbi disa shtete një javë më parë.

“Pas rekomandimit të agjencive amerikane në vend, urdhërova rrëzimin e këtyre tre objekteve për shkak të rreziqeve për trafikun ajror dhe për shkak se nuk mund të përjashtonim rrezikun e mbikëqyrjes së objekteve të ndjeshme" vuri në dukje Biden.

Ai shtoi se ushtria amerikane dhe kanadeze janë duke studiuar ende balonat e rrëzuara për të marrë më shumë informacion rreth tre objekteve.

“Vlerësimi i fundit është se ato ishin balona për përdorim privat”, tha presidenti amerikan në fjalën e tij, duke shtuar se në vendin e tij ende nuk e dinë saktësisht se çfarë janë këto objekte por nuk e vlerësojnë që kanë lidhje me “balonat” spiune të Kinës.

“Çdo objekt që rrezikon sigurinë e qytetarëve amerikanë do të rrëzohet”, sqaroi presidenti amerikan, duke shtuar se dokumentet, të cilat kanë të bëjnë me hetimin e objekteve fluturuese, do të mbeten të klasifikuara, por do t’i zbulohen Kongresit amerikan.

Vihet re se tre objekte të paidentifikuara u rrëzuan nga SHBA, një në hapësirën ajrore të Alaskës të premten (10/2), një tjetër mbi Kanadanë veriore të shtunën (11/2) dhe një i tretë mbi liqenin Huron të dielën (12/ 2).

Ky fjalim u bë pas një kërkese nga politika amerikane për të dhënë informacion lidhur me këtë çështje dhe pas kritikave se kishte mungesë transparence nga qeveria.