Nikaragua u heq shtetësinë 94 disidentëve të shquar

Një gjykatë në Nikaragua u ka hequr shtetësinë 94 disidentëve.

Midis atyre të shpallur "tradhtarë të atdheut" janë shkrimtari fitues i çmimeve Sergio Ramírez, poetja Gioconda Belli dhe peshkopi katolik Silvio Báez.

Të 94-të janë kritikë të hapur të presidentit Daniel Ortega, i cili është në mandatin e tij të katërt radhazi në detyrë.
Ata janë grupi i dytë i kritikëve të qeverisë që u hiqet shtetësia pasi 222 kritikëve të qeverisë iu hoq shtetësia javën e kaluar .

Analistët ligjorë e kanë quajtur këtë veprim një shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Gjykatësi Ernesto Rodríguez tha se 94-të kishin kryer "akte kriminale në dëm të paqes, sovranitetit, pavarësisë dhe vetëvendosjes së popullit të Nikaraguas".

“Për shkak të këtyre fakteve, të akuzuarit nuk mund të konsiderohen më shtetas të Nikaraguas”, shtoi ai dhe njoftoi se pronat e tyre në Nikaragua do të konfiskohen.

Shumë prej atyre që janë në listën e 94-të janë duke jetuar jashtë vendit. Gjykatësi i përshkroi ata si "të arratisur nga drejtësia" edhe pse shumë prej tyre u larguan nga Nikaragua përpara se të ngrihej ndonjë akuzë kundër tyre.

Autori Sergio Ramírez, i cili fitoi çmimin Servantes të Spanjës për letërsinë në vitin 2017, është një nga ata që ka jetuar në mërgim në Spanjë.

Ramírez dikur ishte një aleat i ngushtë i Presidentit Ortega dhe shërbeu si nënkryetar i tij gjatë mandatit të parë të presidentit në detyrë nga 1985 deri në 1990.

Por ai u shkëput nga Partia Sandiniste e udhëhequr nga Ortega në vitin 1995 në shenjë proteste ndaj asaj që ai tha se ishin "prirjet autokratike" të zotit Ortega.

Ramírez u largua nga Nikaragua në qershor 2021, mes një vale arrestimesh të aktivistëve të opozitës. Tre muaj më vonë, ai u akuzua për nxitje të urrejtjes dhe komplot për të destabilizuar Nikaraguan.

Të tjerë që iu hoqën kombësia të mërkurën janë një ish-ambasador i Nikaraguas i cili denoncoi qeverinë e tij si diktaturë dhe i cili që atëherë jeton në SHBA dhe peshkopi ndihmës i Managua, i cili jeton në Miami për gati tre vjet.

Zyra e Amerikës Qendrore e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dënoi masën dhe i bëri thirrje Nikaraguas "të pushojë menjëherë persekutimin dhe hakmarrjen".