Siri, presidenti Assad falenderon qeveritë që i zgjatën dorën e ndihmës vendit të tij

Presidenti sirian Bashar al-Assad ka pranuar se ndikimi i tërmeteve vdekjeprurëse të javës së kaluar kërkon më shumë burime nga sa ka në dispozicion qeveria dhe falënderoi qeveritë që i zgjatën dorën e ndihmës vendit të tij.

Ky ishte fjalimi i parë televiziv i Assadit që nga tërmetet e së hënës së kaluar që vranë më shumë se 42,000 njerëz në Turqi dhe Siri.

Sipas qeverisë siriane, 1,414 njerëz u vranë në zonat nën kontrollin e saj. Më shumë se 4000 vdekje janë raportuar në zonat e kontrolluara nga forcat kundër regjimit.

Kombet e Bashkuara kanë kërkuar 400 milionë dollarë për të plotësuar nevojat e viktimave të tërmetit në Siri për tre muajt e ardhshëm.

Për shkak të tërmetit, izolimi ndërkombëtar në të cilin kishte rënë Assadi pas 11 vitesh luftë civile, u lehtësua.

Shumë shtete arabe dërguan ndihma humanitare, përfshirë Arabinë Saudite, e cila kishte financuar forcat kundër regjimit në Siri.