Jorida Tabaku vizitë në Kosovë
Anëtarët e komisionit të integrimit në Parlamentin e Shqipërisë kanë zhvilluar një tur takimesh në Kosovë, e cila tashmë është nën ethet e marrëveshjes me Serbinë.
Në deklaratën për mediat, thuhet se në takimin me presidenten Osmani u diskutua rëndësia e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, sikundër dhe thellimin dhe forcimin real të marrëveshjeve me Shqipërinë.
Më tej bëhet e ditur se në diskutimin e zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti fokus ishte integrimi dhe bashkërendimi i politikave në përfshirjen e Prishtinës zyrtare në organizatat ndërkombëtare.
Ndër të tjera u theksua rëndësia e pranisë së BE dhe SHBA në rajonin tonë ndërkohë që Jorida Tabaku u shpreh se është e rëndësishme që elita politike në Kosovë të marrë një vendim për procesin e dialogut Prishtinë Beograd, duke ruajtur sovranitetin, kushtetueshmërinë dhe duke pasur parasysh rëndësinë jetike për ti dhënë një zgjidhje përfundimtare.
Sa i përket marrëdhënieve Shqipëri Kosovë, Tabaku e vuri theksin te zbatimi i marrëveshjeve dhe jo te numri i dokumenteve të firmosura. Sipas saj volumi tregtar duhet të jetë më i madh se 300 mln euro sa është aktualisht.
Hekurudha Tiranë Prishtinë duhe të jetë prioritet për të bashkuar shqiptarët.
Anëtarët e komisionit të integrimit, zhvilluan një sërë takimesh me zyrtarë, politikanë të lartë ku u theksua domosdoshmëria e koordinimit dhe bashkëpunimit.