Baltë e pluhur në qendër të Vlorës, lagjja “Kushtrimi” e harruar,banorët: Na takojnë vetëm për vota
Në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë prej vitesh nuk është investuar. Infrastruktura prej vitesh e degraduar ka bërë që banorët të thonë se ndihen të braktisur. Ata ankohen jo vetëm për këtë, por edhe për mungesën e ujit të pijshëm.
Gjatë verës mbizotëron pluhuri, e gjatë dimrit, balta shkon deri në gju, kjo është situata me të cilën përballen çdo ditë banorët e lagjes “Kushtrimi”,në Vlorë.
Është vetëm 3 km nga godina e Bashkisë së qytetit, por përfaqësuesit lokal, duket se nuk e shohin gjendjen.
Anëtarët e 30 familjeve që banojnë aty, thonë se ndihen të harruar.
"Këtu është baltë gjithandej.Kemi 30 vjet që kemi ardhur. Kur janë votimet vijnë me vrap, na thonë do e shtrojmë, kur ikin harrojnë. Ka ngelur pa asfaltuar 500 metër rrugë. Kemi ngelur si në fshat, po tani po rregullohet më mirë fshati se qyteti," thane banorët.
Jo vetëm rruga, por në këtë lagje mungon dhe uji i pijshëm.
"S'kemi ujë fare. Në verë vijnë fëmijët s'kemi ujë, tani në dimër e lëshojnë nga pak, 2-3 orë në mëngjes. Merohemi për tu larë, e për të pirë. Jo, jo s'është i pijshëm,uji nuk është i pijshëm," thone banorët.
Kërkesa e ankesa kanë bërë vazhdimishtë,por askush nuk i ka dëgjuar. Shihen me përfaqesuesit e pushtetit vetëm në fushatë.
"Kemi vajtur në Bashki, kemi vajtur në Rajon,kemi vajtur te ujësjellsi, nuk na kanë dhënë asnjë përgjigje. Vetëm po ndërhyrët ju, se këta nuk po bëjnë gjë, dhe të vesh të ankohesh nuk të qasin fare, këta," thanë ata.
Në dy blloqe banimi pranë lagjes Kushtrimi, ka nisur investimi, por për këta banorë nuk është menduar as në buxhetin e 2023.
