Viagria ndaloi furnizimin në Rusi, kompanitë ruse krijojnë suplementit e tyre, rriten shitjet

Vladimir Putin ka pësuar një 'goditje nën brez' pasi furnizimet me tableta Viagra janë pezulluar në Rusi.

Korporata globale amerikane farmaceutike dhe e kujdesit shëndetësor Viatris, pronari i markës së pilulës për mosfunksionim erektil, ka ndaluar furnizimet në Rusi, tha Ministria e Industrisë dhe Tregtisë e vendit.

Rusia u njoftua për vendimin e kompanisë farmaceutike për të pezulluar furnizimet vitin e kaluar, pas pushtimit të Ukrainës, thanë raportet.

"Viatris LLC na informoi për pezullimin e furnizimit të ilaçit Viagra në formën e dozimit të një tablete," tha Ministria Ruse e Industrisë dhe Tregtisë.

Ministria ruse u zotua menjëherë të sigurojë prodhimin vendas të barnave për burrat e vendit me të njëjtin 'përbërës aktiv', duke theksuar se kjo tashmë ishte duke u zhvilluar.

Ministria ruse e shëndetësisë pohoi gjithashtu se farmacitë nuk po mbaronin rezervat e pilulës.

Përpara ndalimit të Viagrës, kompanitë ruse që prodhojnë barna të tillë me sildenafil  kanë rritur prodhimin me 11 për qind midis janarit dhe shtatorit 2022, raportoi Interfax.

Shitjet e ilaçit për disfunksionin erektil në të njëjtën periudhë ishin rritur 15 për qind.

Agjencia ruse e lajmeve Tass raportoi se 36 kompani në Rusi kanë aktualisht rreth 49 certifikata regjistrimi për prodhimin vendas të ilaçit sildenafil.

Një koment mbi lajmin për furnizimin e pezulluar thoshte: "Kjo është një goditje në vend të keq nga Perëndimi kundër Putinit dhe burrave rusë".

Në një raport tremujor në shtator, Viatris tha: "Konflikti i vazhdueshëm midis Rusisë dhe Ukrainës nuk pati një ndikim material në biznesin tonë pasi të ardhurat totale të kombinuara për të dy vendet ishin afërsisht një përqind e të ardhurave totale të konsoliduara".

Por kompania pranoi se "kontrollet e tregtisë, sanksionet, zinxhiri i furnizimit dhe sfidat e personelit dhe konsiderata të tjera ekonomike që lidhen me konfliktin kanë ndikuar në operacionet tona në këto tregje".

Raporti i kompanisë farmaceutike paralajmëroi se kjo 'mund të ndikojë negativisht në rezultatet tona financiare në periudhat e ardhshme.

"Përveç kësaj, një përshkallëzim i konsiderueshëm ose zgjerim i shtrirjes aktuale të konfliktit mund të ketë një ndikim negativ në operacionet tona dhe rezultatet financiare në periudhat e ardhshme."