"Rama e ka frikë Berishën", Ndoka: Nëse vazhdon me këtë sjellje do ketë radikalizim të protestave por jo marrje pushteti me dhunë
Opozita proteston nesër sërish para Kuvendit teksa me 3 mars ka thirrur një tjetër protestë kombëtare.
Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka thotë se aksione të tilla nuk pengojnë organizimin për zgjedhjet.
"Nuk e pengojnë pjesën e organizimit të fushatës, përkundrazi e kalisin dhe më tepër në aspektin politik" thotë ai duke shtuar se është rast unik në 31 vite pluralizëm përjashtimi masiv i deputetëve nga Kuvendi.
Për Ora News ai tha se protesta kombëtare ka 1001 arsye për ta mbajtur.
Nuk përjashton as radikalizimin e tyre.
"Nëse kryeministri nuk do të zbatojë rregulloren e parlamentit për të dhënë sqarime para deputetëve, të shkojë në interpelancë kur thirret. Nëse ai vazhdon duke përjashtuar deputetë do të ketë protesta të fuqishme dhe radikale deri në mosbindje civile. Nuk ke rrugë tjetër. Nuk mund të futet opozita në zgjedhje kur ky dhunon të gjitha institucionet".
Edhe pse flitet për revolucion ai thotë se synimi nuk është marrja e pushtetit me dhunë.
"Vështirë nuk do ta kishte me Lulzim Bashën, edhe e bleu dhe e kapi peng. Me Berishën e ka shumë të vështirë, e ka shumë frikë. Përmes këtyre mekanizmave tenton ta nxjerrë Berishën nga shinat institucionale drejt dhunës. Por Berisha njeh edhe institucionet, edhe Ramën dhe strategjinë e tij por dhe përgjegjësinë që ka si lider i opozitës, kreu i PD.
Nuk e ka luksin edhe nëse ka dëshirën të bëjë gabime. Është një opozitë e maturuar që po i intensifikon protestat, në varësi të sjelljes së Edi Ramës do të ketë dhe radikalizim por nuk është qëllimi të shkohet drejt pushtetit me dhunë. Kjo nuk duhet të ndodhë. Revolucioni nuk është në çdo rast rrëzim i pushtetit përmes dhunës".
Opozitën e sheh alternativë për shqiptarët, teksa thekson se Rama është "zhveshur" tashmë para ndërkombëtarëve dhe vetë socialistëve.
"Kemi një kryeministër të kalbur me afera korruptive që shqetësoi dhe aleatin tonë, SHBA-të. Edhe socialistët e shohin me mjaft shqetësim, si një problem të madh këtë qeverisje. Berisha mbetet një ndër kryeministrat më të mirë që kemi pasur në 30 vite. Dhe nëse tentojmë për një lider të ri Berisha është i hapur edhe për të hapur krahun por edhe konkurrenca. Personazhet që janë në PD të konkurrojnë".
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
