Ekipet e FSK-së shpëtojnë një 13-vjeçare dhe një 45-vjeçar në Turqi

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se tani kur kanë kaluar më tepër se 162 orë pas tërmetit në Turqi, në provincën Hatay, kontigjenti i FSK-së, i kërkim-shpëtim ka shpëtuar edhe dy jetë njerëzish, njëra vajzë e moshës 13 vjeçare.

“Shpresojmë se orëve në vijim pjesëtarët tanë të FSK-së të gjejnë edhe të tjerë të mbijetuar nën rrënojat e krijuara pas këtij tërmeti të tmerrshëm”, shprehet Mehaj në një postim në rrjetet sociale.

Siç njofton edhe FSK-ja, rezultati erdhi “pas një pune të palodhshme dhe shumë sfiduese me rrezikshmëri të lartë e me angazhim maksimal”.“Të pathyeshëm dhe të pandalshëm djemtë e vajzat e ushtrisë së Kosovës së bashku me ekipet e ushtrisë turke, pas 160 orëve që nga tërmeti, kanë arritur të nxjerrin të gjallë një qytetarë i gjinisë mashkull rreth moshës 50 vjeçar dhe pas 162 orëve është nxjerrë edhe një vajzë 13 vjeçare, nën rrënojat e një objekti të shkatërruar”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Më tej bëhet e ditur se megjithëse kanë kaluar shumë orë kërkimi, ekipet e Kërkim-Shpëtimit të FSK-së “janë të motivuar dhe po japin të gjithë energjinë e tyre për të shpëtuar jetët e njerëzve që janë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti”.

Pjesëtarët e FSK-së arritën më 8 shkurt që të nxjerrin nga rrënojat në Hatay të Türkiye-s një fëmijë të moshës 2-vjeçare dhe nënën e saj.

Kontingjenti i parë i FSK-së i cili po kryen operacione të kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti u nis për në Tuqi mbrëmjen e 6 shkurtit me autorizim të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani si komandante supreme e FSK-së. Ndërsa, një ekip shtesë i FSK-së i përbërë prej oficerëve dhe nënoficerëve iu bashkuan atyre më 10 shkurt.