Kurti: Jam i bindur që Asociacionin nuk e duan serbët e Kosovës

Krijimin e Asociacionit të komunave serbe sipas Albin Kurtit, nuk po e kërkojnë serbët por Beogradi. Sipas tij, pas këtij kushti për vazhdimin e bisedimeve mes dy vendeve, Vuçiç ka bërë plane të tjera të cilat kreu i qeverisë së Kosovës edhe njëherë thotë se nuk do ti pranojë.

"Jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës, por jam i bindur që këtë e do Serbia".

Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës Albin Kurti për trysninë që Beogradi vijon të ushtrojë për formimin e Asociacionit të komunave serbe.

Sipas tij, pas kërkesës së Vuçiç fshihet një tjetër plan.

"Serbia është në panik duan që t’i bëjnë bashkë sa më parë 10 kryetarë komunash të së njëjtës  parti, që e dirigjojnë ata, ta shpallin një president ‘zajednice’ e me atë ta shkelin ministrin tonë, të Qeverisë tonë, ministrin nga radhët e komunitetit serb".

Gjatë homazheve në pllakën përkujtimore të Mon Balajt e Arben Xheladinit, Kurti i është përgjigjur Vuçiçit për kushtin që vendosi për takimin në Bruksel të thirrur nga shefi i diplomacisë europiane.

"E padrejtë dhe e gabueshme, e dëmshme dhe e papranueshme".

Asociacionin si kusht të të gjitha kushteve e përsëriti kryeministrja serbe.

"Nuk ka interes të Prishtinës për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe! Ky është kusht i të gjitha kushteve".

Zyrtarë të Bashkimit Europian ndërkohë kritikuan qëndrimet politike të Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç që kushtëzuan takimin e radhës në Bruksel.