Shkup, partia shqiptare në Qeveri/ Taravari: Përfshirja në koalicion për mbrojtjen e kursit pro-europian
Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të zgjerohet tashmë edhe me partinë Aleanca për Shqiptarët. Kryetari i kësaj force politike Arben Taravari tha se zgjerimi i koalicionit pritet ti japë më shumë stabilitet nismave të qeverisë në Parlament, për ruajtjen e kursit pro evropian.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të zgjerohet edhe me një parti politike, Aleancën për Shqiptarët (ASH), e cila deri tani ishte në opozitë. Vendimi u bë i ditur të enjten në mbrëmje nga kryetari i kësaj partie, Arben Taravari pas bisedimeve disa ditëshe me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
Kjo forcë politike ka tetë deputetë dhe me përfshirjen në qeveri do t’i krijojë stabilitet mazhorancës aktuale që përbëhet nga Lidhja Social Demokrate (LSD), Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe disa parti më të vogla, por që kanë 64 deputetë, apo vetëm 3 më shumë se numri i nevojshëm për funksionimin e shumicës parlamentare.
Arben Taravari, tha se pjesëmarrja në qeveri ka të bëjë me “ruajtjen e kursit evropian të Maqedonisë së Veriut”.
Arben Taravari: “Me parimet e platformës për bashkëpunim me Aleancën e Shqiptarëve, të miratuara nga organet partiake, sigurohen të gjitha kushtet për stabilitet politik dhe rritje të efikasitetit të Kuvendit dhe të institucioneve...Pjesëmarrja jonë në qeveri është në funksion të stabilitetit të vendit, miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe vazhdimit të kursit evropian të Maqedonisë së Veriut”.
Aleanca për Shqiptarët, do të ketë një post zëvendëskryeministri për investimet kapitale, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Shëndetësisë, dy zëvendësministra të Mbrojtjes dhe Bujqësisë, dy sekretarë shetërorë, si dhe disa drejtori.
Por nga Lidhja Social-Demokrate, bëhet me dije se me zgjerimin e qeverisë dhe të shumicës parlamentare është evituar rreziku për “ndryshimin e kursit evropian të Maqedonisë së Veriut”.
Shumica parlamentare me zgjerimin e ri tashmë edhe me ASH-në, dhe me votat e disa deputetëve të VMRO-DPMNE-së shpreson në miratimin e ndryshimeve kushtetuese, për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues.
Ndryshimet kushtetuese janë kusht që parashihet në marrëveshjen mes Shkupit dhe Sofjes për zhbllokimin e integrimit evropian.

