Kurti konfirmon gatishmërinë për takim me Vuçiç

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për ta pranuar planin franko-gjerman. Në një telefonatë me Këshilltarin e Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, kryeministri Albin Kurti e konfirmoi gatishmërinë për takim në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mbi bazën e këtij propozimi. Por një njohës i zhvillimeve politike e ka theksuar rëndësinë për unitet politik përbrenda Kosovës karshi zhvillimeve rreth dialogut me Serbinë

Kryeministri Albin Kurti ia ka konfirmuar këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, gatishmërinë për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mbi bazën e planit franko-gjerman për dialogun.

Konfirmimi u bë nga Zyra e kryeministrit, një ditë pasi që Chollet e mirëpriti pranimin e këtij plani nga ana e Kosovës. Ai e ka interpretuar veprim si me përfitime për të dyja palët e përfshira në dialog.

“Kryeministri Kurti konfirmoi gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe shprehu pajtimin e tij për nevojën për intensifikim të procesit të dialogut. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog, sepse dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Pranimi i planit ka gjeneruar sinjale të mbështetjes ndërkombëtare për Qeverinë, porse jo edhe nga të gjitha subjektet opozitare në Kosovë.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se me gjithë kritikat e shumta për Ekzekutivin, në rrafshin e bisedimeve me Serbinë nuk duhet të kursehet mbështetja për Qeverinë.

“Kursi publik dhe politik i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka ndryshuar asnjëherë dhe është tepër e rëndësishme që secili prej nesh, a është në pozitë, opozitë apo në shoqërinë civile, ta perceptojë rëndësinë që është tani arritja e marrëveshjes, duke parë angazhimin e SHBA-së dhe miqve tanë”, ka thënë Besnik Tahiri nga kjo parti.

E në Lidhjen Demokratike vazhdimisht kanë shprehur kundërshtime rreth qëndrimit të kryeministrit Kurti mbi pranimin e një marrëveshjeje bazë për bisedime me Serbinë. Të pyetur të shtunën mbi këtë, në LDK u shprehën të rezervuar për komente.

“Qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës për dialogun i ka bërë tashmë të ditura dhe janë publike për secilin nga ju kështu që nuk do të lëshohem sot në këtë temë”, ka deklaruar deputetja e kësaj partie, Doarsa Kica-Xhelili.

Dorajet Imeri, profesor i shkencave politike, e ka theksuar rëndësinë e mbajtjes së një qëndrimi unik politik në Kosovë lidhur me dialogun.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, nga kryeministri Mustafa dhe një pjesë e madhe e nomenklaturës së saj janë përgjegjëse për të gjitha rrjedhat politike që i ka pasur Kosova... sepse ka qenë në të shumtën e kohës pjesë e qeverisjes. Prandaj, jo për ta delegjitimuar kauzën e saj opozitare, por për të thënë se tashmë Kosova ka nevojë për një qëndrim unik dhe Lidhja Demokratike nuk mund të kalkulojë për disa vota në këtë moment kur Kosova ka nevojë për unitet në të gjithë skenën politike”, ka thënë Imeri.

Imeri ka deklaruar gjithashtu se Kosova nuk ka pasur tjetër alternativë përveçse ta pranojë planin franko-gjemran, refuzimi i të cilit, sipas tij, do të prodhonte pasoja të parikuperueshme. Përkitazi me planin, ai ka theksuar se me gjithë kushtet që mund të vihen, përmbajtja e tij nuk mund të ndryshojë shumë.

“Varësisht nga pozicionet negociuese, varësisht nga trysnia ndërkombëtare dhe varësisht nga aftësitë argumentuese do të varet pastaj i gjithë procesi, por që kam një bindje që nuk do të ndryshojë shumë nga ajo se çfarë është propozuar tash për palët”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka paralajmëruar ditë më parë se takimi i ardhshëm i nivelit të lartë midis kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, në kuadër të dialogut, do të zhvillohet shumë shpejt në Bruksel./Kohaditore/