Sekretet e mbretëreshës skoceze, deshifrohet korrespodenca 436 vjet pas vdekjes

Dhjetë vjet i janë dashur një ekipi studiuesish për të zbuluar dhe dëshifruar korrenspondencën sekrete të Mbretëreshës së Skocisë, Mary Stuart. Zbulimet vijnë 436 vjet pas vdekjes së Marisë me ekzekutim më 8 shkurt 1587.

Një ekip studiuesish kanë gjetur dhe deshifruar një thesar letrash të humbura të shkruara nga Maria, Mbretëresha e Skocisë. 57 letrat sekrete nga Mary Stuart drejtuar ambasadorit francez në Angli midis 1578 dhe 1584, u shkruan me kode. Zbulimet vijnë 436 vjet pas vdekjes së Marisë me ekzekutim më 8 shkurt 1587.

Shumica e letrave ruheshin në “Bibliotekën Kombëtare” në Paris. Ato datonin nga gjysma e parë e shekullit të 16-të dhe mendohej se kishin lidhje me Italinë. Por një treshe e apasionuar pas thyerjes së kodeve historike gjetën dokumentet.

George Lasry, një shkencëtar kompjuteri dhe kriptograf nga Franca; Norbert Biermann, pianist dhe profesor muzike nga Gjermania; dhe Satoshi Tomokiyo, një fizikant dhe ekspert patentash nga Japonia kuptuan se korrespondenca ishte shkruar në frëngjisht.

"Mary, Mbretëresha e Skocisë, ka lënë një korpus të gjerë letrash të mbajtura në arkiva të ndryshme. Kishte prova të mëparshme se letra të tjera nga Mary Stuart mungonin në ato koleksione. Materialet që kemi deshifruar janë me shumë gjasa pjesë e kësaj korrespondence sekrete të humbur”, tha Lasry në një deklaratë.

Materiali është gjithsej rreth 50,000 fjalë dhe hedh dritë mbi kohën e Marisë në robëri në Angli. Mary Stuart, ishte katolike dhe e para në linjë për pasardhjen e fronit anglez pas kushërirës së saj protestante, Mbretëreshës Elizabeth I.

Katolikët e konsideronin Marinë si sovranen e ligjshme dhe legjitime. Duke e konsideruar Mary Stuart një kërcënim, Elizabeth I e burgosi kushërirën e saj për 19 vjet, në Angli.  Me pas ajo u ekzekutua me prerje koke në moshën 44-vjeçare për pjesëmarrjen e saj të dyshuar në një komplot për të vrarë Elizabeth I.

Por Maria gjatë kësaj kohe mbante korrespondencë të rregullt me aleatët dhe u përpoq të rekrutonte lajmëtarë për t'i fshehur letrat e saj nga armiqtë. Letrat e reja zbulojnë detaje të reja rreth komunikimit të saj me Michel de Castelnau, ambasadorin francez në Angli.

Korrespondenca mund të ketë filluar qysh në vitin 1578.