Kosova avancon me Procesin e Berlinit, Qeveria Kurti miraton 3 marrëveshje të arritura në nëntor
Lëvizja e lirë me Bosnjë-hercegovinën, njohja e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve dhe Arsimit të Lartë në ballkanin Perëndimor, janë 3 marrëveshjet e arritura nga Procesi i Berlinit që ka marrë këtë të mërkurë edhe bekimin e qeverisë Kurti
Qeveria e Kosovës ka avancuar më tej me Procesin e Berlinit, duke miratuar 3 marrëveshjet e arritura në nëntor mes 6 vendet të Ballkanit Perpndimor.
Në mbledhjen e së mërkurës u miratua marrëveshja për lëvizje vetëm me karta identiteti me Bosnje Hercegovinën, njohja e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve, si edhe marrëveshja për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri, Albin Kurti, tha se ratifikimi i këtyre marrëveshjeve është tregues i përkushtimit dhe angazhimit të Kosovës për bashkëpunim rajonal. Ai më tej shpjegoi në detaje edhe përfitimet e qytetarëve nga këto tri marrëveshje.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e Bosnje Hercegovinës do të lëvizin lirshëm vetëm me letërnjoftime.
Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, diplomat e institucioneve publike të arsimit publik të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do të njihen me procedura të thjeshtësuara dhe falas. Kështu do të hiqet një pengesë kyçe për mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe fuqisë punëtore brenda rajonit.
Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale, bëhet e mundur që profesionet e mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve të ushtrohen lirshëm në secilën nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Gjatë mbledhjes, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, i cili është nga komuniteti turk, kërkoi nga ekzekutivi të ndajë mjete financiare për tu solidarizuar me popullin turk pas tërmetit atje. Kjo ërkesë mori në parim miratimin e qeverisë
Me ministrin Mehaj, Sveçla, Murati do të diskutojmë se çka mund të bëjmë shtesë për të ndihmuar njerëzit të cilët u goditën nga ky termet i jashtëzakonshëm
Kabineti qeveritar, ndau edhe mjete për pagesën e specializantëve me vetëfinancim gjatë vitit 2023. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se kjo çështje është prioritet për vendin, sidomos tani në ikjen e profesionistëve shëndetësore nga vendi.