Rama: Paga minimale brenda disa javësh në 40 mijë lekë

Paga minimale do të rritet në 40 mijë lekë për sektorin shtetëror dhe privat. Vendimin që pritet të miratohet në ditët në vijim kryeministri Edi Rama e ndau me studentë që do të përfitojnë të njëjtën pagë si bursë me kusht që të qëndrojnë tre vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.

"Paga minimale shumë shpejt do të shkojë në 40 mijë lekë dhe kur them shumë shpejt, çështje disa javësh dhe do të fillojë të aplikohet brenda pak muajsh për të gjithë, ne nuk duam të ketë një pagë poshtë 40 mijë lekësh si në sektorin publik dhe privat. Kjo rritje është e duhura."

Pasi ndau sekretin e qeverisë që pritet të zyrtarizohet brenda pak ditësh, kryeministri Edi Rama mori edhe një tjetër zotim.

"Duke kontribuar dhe qeveria me një mekanizëm, paga minimanle do të rritet në vijim, dhe brenda 2 viteve duam të rritet në 45 mije lekë".

Vlerën e pagës minimale në formë burse do ta përfitojnë të gjithë studentët e ekselencës dhe ata që zgjedhin degët prioritare.

Por qeveria ka një kusht për ta.

"Të paktën 3 vjet pas studimeve do të qëndrojnë në Shqipëri."

Me 160 studentët e parë përfitues nga program i bursave, kryeministri Edi Rama ndau arsyet e këtij vendimi.

"Shqiptarët nuk mund të paguajmë 15 nga 16 pjesë të studimeve të një studenti mjekësie. Qytetarët shqiptarë kanë të drejtën që të kërkojnë që përkundër parave që shpenzon shteti për të formuar këto mjekë, të kenë mjekë.

Të paktën 3 vjet duhet të qëndrojnë në Shqipëri, kështu duhet të jetë. Më pas do të marrin një shërbim arsimor të lartë me kontribut masiv nga shteti shqiptar. 

Kjo është një politikë e re, që vjen si rezultat i një politike tjetër, i ashtuquajtur fondi ekselencës për të mbështetur studentë shqiptarë. Ky instrument që u ofrohej studentëve të ciklit të parë ose të dytë që studionin në një numër të kufizuar universitetesh nuk e solli pas investimin.

Përkundrazi kjo së bashku edhe me qasjen tjetër ndaj studentëve të doktoraturës, solli të kundërtën. Paguan taksapaguesit dhe këta studentë nuk u kthyen më në Shqipëri".

Paga minimale në Shqipëri aktualisht është 34 mijë lekë në muaj.