"Aktivisti", Meta: Tjetër skandal pas patronazhistëve, të përfshirë dhe gjyqtarë e prokurorë

Kreu i PL Ilir Meta deklaroi sot se aplikacioni "Aktivisti" është një tjetër skandal nga ai i patronazhistëve.

Sipaa tij mijëra punonjës të administratës publike janë të detyruar të bëhen pjesë e aplikacionit, ndërsa skandali bëhet më i madh pasi pjesë e tij janë dhe prokurorë e gjyqtarë.

Ilir Meta: Një vit pas skandalit të patronazhistëve, vjedhjes së të dhënave personale nga Regjistri Publik Shtetëror dhe keqpërdorimi i tyre në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit, duke u përdorur si mjet shantazhi, intimidimi dhe presioni për të siguruar votën dhe mbështetjen, një tjetër skandal ka shpërthyer me të ashtëquajturin aplikacioni “Aktivisti” në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Mijëra punonjës të administratës publike, në shkelje të Kushtetutës e të ligjeve, si dhe në dhunim flagrant të lirive dhe të drejtave të tyre, janë detyruar nëpërmjet presioneve dhe shantazhit të bëhen pjesë e këtij aplikacioni që monitoron like-t, komentet dhe share në rrjetet sociale të postimeve të Edi Ramës dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë.

Skandali bëhet edhe më i madh kur zbulohen se pjesë e listës së aplikacionit janë të paktën 40 prokurorë dhe 27 gjyqtarë, anëtarë të KLP, KLGJ, SPAK dhe të institucioneve të tjera kyçe të reformës në drejtësi, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit në Tiranë dhe qarqe, mjekë, infermierë dhe mësues, punonjës të tatimeve, doganave etj.

Keqpërdorimi i punonjësve të administratës publike dhe institucioneve më të larta të drejtësisë në funksion të propagandës së gënjeshtërt të “Rilindjes” dhe të zgjedhjeve vendore të 14 majit, nëpërmjet shantazhit, intimidimit dhe presionit, meriton një hetim të thellë dhe të gjithanshëm.