Përurohet “fasulja” e Nju Jorkut/ Përfundon pas 15 viteve skulptura e shumëpritur nga Anish Kapoor
Plot 15 vite i janë dashur skulptorit britanik Anish Kapoor për të përfunduar një vepër artistike që është kthyer në një nga atraksionet turistike të qytetit të Nju Jorkut. Skulptura, e ngjashme me veprën e famshme të artistit "Cloud Gate" në Çikago, mendohet se ka kushtuar deri në 10 milionë dollarë.
Skulptura reflektuese krijuar nga artisti britanik Anish Kapoor, që ishte porositur për një cep të spikatur të rrugës në Lower Manhattan në vitin 2008, më në fund është përfunduar. Vepra ende e pa titulluar, e cila ngjason me skulpturën ikonike të tij "Cloud Gate" në Çikago, e emërtuar ndryshe “Fasulja”, tani shkëlqen në cepin e rrugëve “Church and Leonard” në Tribeca.
Është 19 metra e gjatë në pikën më të lartë dhe vlerësohet të ketë kushtuar midis 8 dhe 10 milionë dollarë. Ndryshe nga skulptura e pavarur e Çikagos, e cila zë një shesh të shquar publik në “Millennium Park”, vepra e re është vendosur poshtë një godinë banimi luksoze e njohur më mirë si "Kulla Jenga".
Përveç vonesave ndikuar pas krizës financiare të 2008 dhe 2009, dhe më vonë nga Covid-19, përfundimi i “Fasules” u ngadalësua nga kompleksiteti teknik. Si rezultat, ajo qëndroi pjesërisht e përfunduar për vite me rradhë, e rrethuar me skela dhe me pjesë të mëdha të guaskës së saj vezulluese që mungonin, duke i dhënë pseudonimin "gjysmë fasule".
Për ta përfunduar sa më shpejt skulpturën dhe për të kursyer kostot, u vendos që të ndërtoheshin komponentë preciz në mënyrë që të mund të përshtateshin fort së bashku.
Vepra është zbuluar në një nga lagjet kryesore të galerisë së Nju Jorkut, një pikë e spikatur për selfie për artdashësit që kalojnë lagjen.

