Kryeministri britanik u mbyll derën emigrantëve të paligjshëm shqiptarë: Në Shqipëri ose në Ruanda!
Rishi Sunak është zotuar të "rrisë" largimet e emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria dhe këmbënguli se politika e diskutueshme e dërgimit të azilkërkuesve në Ruanda do të vazhdojë.
Në një intervistë me Piers Morgan për TalkTV, kryeministri tha se kërkesat për azil do të përshpejtohen në një "çështje ditësh ose javësh" dhe "jo muajsh apo vitesh".
Sunak paralajmëroi të ardhurit që konsiderohen "të papranueshëm" për t'u vendosur në Britani se nuk do të mund të qëndrojnë aty.
Në “shumicën dërrmuese të rasteve”, shtoi ai, ata do të dërgohen në “një vend alternativ të sigurt, qoftë ai Shqipëria nga kanë ardhur nëse është i sigurt apo në Ruanda”.
I pyetur nga zoti Morgan nëse plani i qeverisë për Ruandën do të ndodhë ndonjëherë, pas disa sfidave ligjore dhe një përpjekjeje të dështuar për të kryer një fluturim nga toka, zoti Sunak tha: "Po".
Deklaratat Sunak i bëri në fund të 100 ditëve të tij të para në zyrë.
Kur u vu nën presion mbi planin e tij për imigracionin pas një viti rekord mbërritjesh me varka të vogla nëpër kanalin anglez, ai shpalli një marrëveshje për largimin e shpejtë të azilkërkuesve shqiptarë si një nga arritjet e tij të mëdha si kryeministër.
“Sistemi që na nevojitet, sistemi që unë dua të prezantoj, është ai sipas të cilit nëse vini këtu në mënyrë të paligjshme, duhet të ndaloheni shpejt dhe pastaj brenda disa ditësh apo javësh do të dëgjojmë pretendimin tuaj, jo muaj dhe muaj dhe vjet, dhe pastaj ne do t'ju largojmë me siguri diku tjetër. Dhe nëse e bëjmë këtë, kështu do ta thyejmë ciklin” tha ai.
“Në 100 ditët e para çfarë kemi bërë, çfarë kam bërë unë? Unë kam një marrëveshje të re me Francën, e cila po rrit numrin e patrullimeve që po ndodhin në plazhet franceze, gjë që tashmë po bën diferencën. Së dyti, kam një marrëveshje krejt të re me Shqipërinë" shtoi ai.
Ai vazhdoi: “Ne po i kthejmë migrantët e paligjshëm nga Shqipëria në fluturime dhe kjo do të rritet gjatë vitit. Dhe ky është një përmirësim i dukshëm i situatës. Kjo marrëveshje është një marrëveshje e re.”
Kryeministri tha se ka në plan të paraqesë ligje të reja së shpejti për të zbatuar ndryshimet në përpunimin e azilit.
Ndalimi i varkave të vogla ishte një nga pesë premtimet kryesore të tij të bëra në një fjalim muajin e kaluar.
Ndryshimi i rregullave të azilit nga qeveria ka shkaktuar disa sfida ligjore dhe dënime nga grupet e ndihmës për refugjatët dhe OKB-ja.
Agjencia e OKB-së për Refugjatët tha se plani do të shkelte ligjin ndërkombëtar dhe do të minonte "traditën humanitare" të Britanisë.
