NZZ: SHBA i ka ofruar Putinit 20% të territorit të Ukrainës për të ndaluar luftën

Lufta në Ukrainë është në ditën e 344-të. Sipas gazetës zvicerano-gjermane Nzz, drejtori i CIA-s, William Burns, i ka ofruar presidentit rus Vladimir Putin 20% të territorit ukrainas për t'i dhënë fund luftës, si pjesë e një plani paqeje të hartuar në emër të presidentit Joe Biden.

Këtë e shkruan Newsweek, duke cituar gazetën zvicerano-gjermane Nzz.

Burns thuhet se e paraqiti planin në mes të janarit, sipas politikanëve të lartë gjermanë të cituar si burim.

Si Kievi dhe Moska e kanë refuzuar propozimin.

Pjesa e ofruar për Moskën ishte afërsisht sa madhësia e rajonit lindor të Donbasit.

Kievi refuzoi "sepse nuk është i gatshëm të ndajë territorin e tij", ndërsa zyrtarët rusë thanë se "do ta fitojnë luftën në planin afatgjatë gjithsesi", raportoi NZZ.

Ndërkohë, SHBA po përgatit mbi 2 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, e cila do të përfshijë për herë të parë raketat me rreze të gjatë veprimi Glsdb, por jo ato më të frikshmet Atacm.

Nga ana tjetër, Presidenti Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të miratojë sanksione të reja kundër Rusisë "më shpejt", pothuajse një vit pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.

"Sot ne shohim se ritmi i sanksioneve në Evropë është ngadalësuar pak," tha Zelensky gjatë një konference për shtyp në Kiev me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.