Bardhi i përgjigjet SPAK për “McGonigal”, i dërgon aktpadinë e drejtësisë amerikane

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka shfaqur interesimin për të hetuar mbi aktivitetin e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së McGonigal në Shqipëri.  

Kreu i SPAK, Altin Dumani, i ka kërkuar deputetit të PD-së, Gazment Bardhi që të plotësojë kallëzimin e bërë në datën 24 janar ndaj kryeministrit Edi Rama me dokumentet e nevojshme.

Pak orë pas kësaj kërkese, deputeti demokrat i ka dërguar Prokurorisë së Posaçme aktpadinë e drejtësisë amerikane.

Aktpadia e zyrës së prokurorit të distriktit të Kolumbias mban datën 15 shtator të vitit 2022.

Bazuar në këto dokumente, ligjvënësi demokrat shreh besim te Prokuroria e Posaçme që në këtë rast të ketë një hetim të plotë, të gjithanshëm dhe të pavarur.

“Korruptimi i një zyrtari amerikan të FBI për të sajuar rrethana të rreme për kundërshtarët politikë është jo vetëm krim, por akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA. 

Asnjë Kryeministër në vendet demokratike nuk përdor para të pista për të korruptuar zyrtarë amerikanë  të lidhur me Rusinë për të goditur kundërshtarët politikë”, u shpreh Bardhi për padinë pak ditë më parë.

Çështja “McGonigal”dhe marrëdhënia e tij me kryeministrin Rama ka shtuar tensionet politike në Shqipëri.

Madje në Komisionin e Sigurisë, Ervin Salianji, e konsideroi si çështje primare për tu diskutuar.

Tashmë veç hetimit në SHBA dhe nismës së SPAK në Tiranë, Partia Demokratike dhe ajo e Lirisë kanë paralajmëruar dhe zhvillimin e protestave.

Bardhi i përgjigjet SPAK për “McGonigal”, i dërgon