Shërbimi Përmbarimor bëhet privat, Manja: Do të marrin të ardhura nga tarifat që do të marrin për zbatimin e vendimeve
Përmbaruesit shtetërorë do të funksionojnë si ata privat. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, duke kërkuar ndryshimin e ligjit shprehet se përmes këtyre të ardhurave do të përmirësohen edhe pagat e punonjësve. Prej analizës së bërë është konstatuar zvarritja e zbatimit të vendimeve gjyqësore, por po ashtu edhe mungesë e transparencës.
Shërbimi Përmbarimor Shtetëror pritet të ketë tarifa shtesë për të zbatuar një vendim gjyqësor.
Në Komisionin Parlamentar të ligjeve është paraqitur drafti me ndryshimin e plotë të rregullave mes të cilave për kryerjen e punës parashikohet pagesa edhe e një tarife suksesi, që do të miratohet mes palëve.
Përballë deputetëve ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, theksoi se për shkak të pamundësive financiare deri më tani janë vënë re vonesa të paargumentuara.
"Vazhdon të ketë të njëjtat problematika. E para ka të bëjë me zgjatjet e pajustifikuara në ekzekutimin e titujve ekzekutivë. E dyta, shërbimi ka mungesë transparence. E treta, ka vonesa të mëdha në ekzekutim por dhe mungesë kapacitetesh të burimeve njerëzore".
Madje edhe numri i punonjësve në këtë institucion është i ulët dhe një pjesë e mirë kanë dhënë dorëheqjen.
"Merr 51 mijë lekë neto. Ka gjithësej 78 përmbarues por ka një numër të ndjeshëm vakancash. Vetëm përgjatë vitit 2021, 11 përmbarues kanë preferuar të mos jenë më pjesë e këtij shërbimi.
Përmes ndryshimeve, Manja deklaroi se synohet që Shërbimi Shtetëror të funksionojë si ai privat.
"Do të përfitojnë nga të gjitha tarifat e shërbimeve që ofron qoftë primare, qoftë dytësore, njëlloj si përmbaruesit privat."
Pas miratimit në Komision, drafti do të votohet në parlament teksa u theksua se ai është në plotësim të paketës së reformës në drejtësi.
