16 vite “Ora News”, Tedi Blushi: Ka qenë dhe është zëri i së vërtetës, pa bërë kompromis me lajmin
Përtej politikës ku ai është tashmë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, si njeri që vjen nga bota e medias, nuk do të harronte që në intervistën dhënë për “Ora News” të shprehte dhe urimet e tij për 16-vjetorin e krijimit të këtij televizioni.
“Do ta përkufizoja me pak fjalë dhe besoj se ato do të jenë një përmbledhje që besoj se e meriton Radio Televizioni Ora News, zëri i së vërtetës.
Në vlerësimin tim ka qenë zëri i qytetarëve dhe zëri i së vërtetës pa kompromis dhe nuk është rastësi që televizioni juaj ka pësuar goditje të njëpasnjëshme nga Qeveria, dhe në veçanti, nga Bashkia e Tiranës.
Në qoftë se RTV Ora do të ishte një radio televizion që do të bënte kompromise me Qeverinë, do të mbyllte sytë para skandaleve të njëpasnjëshme të Qeverisë, jam i binsur ashtu si dhe ju, i gjithë grupi mediatik që ju përfaqësoni nuk do të ishte goditur aq egërsisht nga Qeveria dhe nga kryetari ende në detyrë dhe për pak muaj i Bashkisë së Tiranës.
Kështu që të gjithë veprimtarinë tuaj unë do ta përkufizoja vetëm me dy fjalë: Zëri i së vërtetës! Ka qenbë zëri i qytetarëve dhe si i tillë meritoni përgëzimet e mia jo vetëm si ish-kolegu juaj dikur, por dhe tashmë edhe në pozicionin politik, dhe kjo sigurisht është meritë e të gjithë kolegëve tuaj, të gjithë gazetarëve të “Ora News” dhe drejtuesve të tyre të cilët nuk kanë pranuar të bëjnë kompromis në kurriz të lajmit, në kurriz të informimit të drejtë dhe të paanshëm të opinionit publik”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.

